Në shtator, në bisedimet dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të hedhi mbi tryezë edhe temën e korrigjimit të kufirit lindor të Kosovës me Luginën e Preshevës, nëpërmjet një marrëveshje paqësore. Kjo temë ka provokuar debatin më të madh politik të kësaj vere, në të gjitha hapësirat shqiptare në Ballkan. Liderët politikë, mediat dhe opinion publik si të mos e kenë dëgjuar siç duhet qëndrimin e Thaçit, më shumë se për korigjim kufijsh, flasin për shkëmbim territoresh, apo për hapjen e “Kutisë së Pandorës” në një rajon që për këto tema, ka qenë historikisht në luftë.
Tani që luftrat kanë mbaruar, ku e fundit pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë ka qenë pikërisht ajo që çoi në pavarësinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës, sfida më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, është që të fitojë paqen në Ballkanin Perendimor. Një paqe që po inkurajohet për tu fituar nëpërmjet integrimit të këtyre vendeve në Bashkimin Europian, nëpërmjet forcimit të demokracive të brendshme dhe mbi të gjitha, nëpërmjet kushtit të panegociueshëm të zgjidhjes së problemeve bilaterale mes fqinjëve, përpara anëtarësimit.
Me sa duket, është kjo filozofi por edhe ardhja në pushtet e një klase liderësh të rinj politikë me prirje pro perendimore në rajonin tonë, ajo që po inkursjon dhe po i çon vitet e fundit shtetet e Ballkanit, drejt disa vendimeve dhe zgjidhjeve të cilat deri para pak vitesh, ishin thjeshtë të pamendueshme.
Zgjidhja e çështjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi; zgjidhja e çështjes së emrit të ri të Maqedonisë pas mbi dy dekada bisedimesh me Greqinë; negociimi dhe shkuarja në prag të zgjidhjes së pothuajse të gjitha çështjeve të bartuara historikisht mes Tiranës dhe Athinës,- duket se janë disa prej hapave që të bëjnë të besosh se po futemi në një etapë të re, cilësisht ndryshe të marrëdhënieve në rajon, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me mënyrën e zgjidhjes së problemeve mes shteteve tona, në të shkuarën.
Kjo frymë, kjo atmosferë dhe kjo filozofi duket se po inkurajon dhe po i nxit edhe presidentët e Kosovës e Serbisë, që të tejkalojnë vetëveten dhe të rrëzojnë tabutë e derisotme, për gjetjen e zgjidhjeve paqësore dhe afatgjata të problemeve bilaterale mes tyre, në procesin jashtëzakonisht të vështirë të bisedimeve dypalëshe. Ndaj me sa duket, Hashim Thaçi njeriu deri dje simbol i luftës (ku mbante pseudonimin “gjarpri”), po guxon të artikulojë një tezë kaq “të rrezikshme” për një lider politik ballkanik, me shpresën që të bëhet edhe protagonist i fitimit të paqes, mes Prishtinës dhe Beogradit.
Vetë Hashim Thaçi gjatë një interviste të dhënë për gazetën “Tema”, thotë se “jetojmë në shekullin e XXI dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, i kanë kuptuar gabimet që kanë bërë në shekullin e kaluar. Problemet e hapura në shekullin XXI, zgjidhen me mjete paqësore. Unë po kërkoj që të bëhet korrigjimi i kufinjve në mënyrë paqësore për t’i mundësuar Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të bashkohen me Kosovën.”
Sipas tij, “askush nuk mund ta kundërshtojë një marrëveshje që arrihet në mënyrë paqësore. Rastet e tilla te korrigjimit të kufinjëve në mënyrë paqësore, kemi anekënd botës. Vetem dy vite me parë, Belgjika dhe Holanda pa shkrepur asnjë plumb, korrigjuan kufirin e tyre në mënyrë paqësore. Pra “Kutia e Pandorës” në asnjë rrethanë nuk mund të hapet në Ballkan, në rast se marrëveshja ndermjet Kosovës dhe Serbisë, arrihet në mënyrë paqësore.”
E sigurtë është që Kosova dhe Serbia, nuk janë Belgjika dhe Holanda, sigurisht. Në këtë rajon ku siç thoshte Arbën Xhaferri, liderët mund të ngrysen si heronj dhe të gdhihen si tradhëtarë, të hapësh, të mbrosh dhe të firmosësh nesër për çështje të tilla, është si të luash me zjarrin e ferrit. E sigurtë është që edhe Presidenti i Kosovës, e di shumë mirë këtë.
Megjithatë, bota i takon guximtarëve dhe mëse një herë, Hashim Thaçi e ka treguar gjatë jetës së tij, se i përket kësaj rrace. E sigurtë është se pasi “fitoi” luftën, nëse ai do ia dali që të “fitojë” edhe paqen, atëherë të gjithë ata që sot po e kryqëzojnë, do të duhet që nesër, të paktën ta… duartrokasin. E të besojnë se jo vetëm në përralla, “gjarpri” i luftës, mund të shndërrohet një ditë edhe në “pëllumbin” e paqes.


