Dita e dasmës është dita më e lumtur e jetës për një çift.
Por fatkeqësisht në Shqipëri ka pasur raste kur dasma nuk ka shkuar siç duhet si pasojë e helmimit. Gjithçka ka ardhur si pasojë e kushteve jo të mira të restoranteve.
Por jo vetëm kaq. Kujtojmë se një tragjedi ka ndodhur në Mamurras ku si pasojë e helmimit kanë humbur jetën dy dasmorë dhe nusja është shtruar në spital por fatmirësisht ka shpëtuar.
Çfarë ndodhi dje:
Ushqimi i konsumuar në dy dasma të ndryshme në të njëjtin lokal në qytetin e Elbasanit, i ka shkaktuar probleme dhjetëra dasmorëve të cilët kanë përfunduar në spital pasi janë helmuar.
Ata kanë qenë në dasma, të shtunën dhe të dielën, ndërsa u raportua për helmimin e 10 dasmorëve.
Numri i tyre është shumë i lartë se kaq, pasi dyshohet që të jenë helmuar rreth 80 persona, 36 prej të cilëve janë shtruar në spitalin e Elbasanit.
Kushtet e lokalit pas bllokimit nga AKU
Dëshmitë e para për konsumimin e ushqimit lidhen me cilësinë dhe përgatitjen e tyre. Mësohet paraprakisht se lokali ku organizoheshin dasmat për dy ditë rrjesht kishte patur probleme edhe herët e tjera. Megjithatë personat e prekur kishin ngrënë nga të gjitha pjatat, kështu pista e hetimeve po zhvillohet me problemet që mund të ketë pasur ushqimi i servirur.
Mësohet se edhe AKU dhe shërbimi sanitar kanë ndërhyrë për këtë situatë duke marrë mostrat e ushqimeve që ndodheshin në lokal, si dhe kanë bllokuar aktivitetin e këtij biznesi deri në zbardhjen e ngjarjes.
Dasma kthehet në tragjedi, vdesin dy dasmorë, helmohet nusja
Pashke Gega, vetëm 21 vjeçe, u shtrua në spital pas helmimit, ndërsa dy të afërme të saj humbën jetën në rrethana misterioze.
Tragjedia u shënua në fshatin Dukagjin të Ri të komunës së Thumanës në Krujë, vetëm disa orë pas përfundimit të banketit të vajzës dhe vetëm pak kohë para se të dilte e veshur me të bardha për të shkuar te dhëndri.
Viktimat janë Mrika Gega, 45 vjeçe, banuese në të njëjtin fshat, nusja e xhaxhait të nuses, si dhe krushka e tyre, Nusha Ndoja, 55 vjeçe, e ardhur nga Puka.
Ato u gjetën rreth orës 5 të mëngjesit në gjendje të rëndë, nga një prej vëllezërve të nuses, i cili shkoi të zgjonte të motrën për të shkuar në parukeri. Por, kjo e fundit u gjet pa ndjenja, pikërisht në ditën më të bukur të jetës së saj, atë të martesës.
Të tria femrat kishin fjetur në të njëjtën dhomë, ndërsa dy dasmoret shkuan pa jetë në spital.
Helmohen në Durrës 50 dasmorë
Gëzimi i dasmës u ka kushtuar shtrenjtë disa dasmorëve në Shijak. Pas dasmës raportohet të jenë shtruar në spital rreth 50 dasmorë.
Në orët e para të mëngjesit në spitalin e Durrësit janë paraqitur me shqetësime serioze 50 persona, të gjithë që kishin qenë në një dasmë në Shijak.
Burime nga spitali bëjnë me dije se ata u paraqitën me simptomat e qarta të një helmimi nga ushqimi, por ende nuk është përcaktuar se cfarë ushqimi u ka bërë keq.
/AlpeNews.al





