Kur isha fëmijë dhe shikoja tezen time të vogël që ndërronte të dashurit, e shikoja si standardin e asaj që s’duhet të bëhesha në jetë. Ajo ishte nxënëse e shkëlqyer dhe më pas u shkollua në një ndër universitetet më të mira në Gjermani, por ama për të bërë qejf bënte dhe s’ia mohonte vetes asnjë djalë që i pëlqente.
Mbaj mend se, kur isha rreth 8-9 vjeç, hyra në dhomën e saj dhe e gjeta duke qarë me dënesë. E pyeta çfarë kishte dhe s’më ktheu përgjigje. Por më përqafoi fort dhe ndërsa më përkëdhelte kokën, e ndjeja të gulçonte në supet e mia të vogla, dhe bluzën ma bëri qullë me lot.
Para ca kohësh, isha unë ajo që ia bëri ujë bluzën e re nipçes së vogël. Ai është vetëm 5 vjeç dhe mund ta merrni me mend; i kisha okupuar dhomën për të qarë lirisht dhe kur hyri, tentoi të merrte lodrën e vet dhe të ikte, por unë i kërkova ta puthja. Si më lejoi, ia plasa të qarit më keq. Kushedi ç’do të ketë menduar. Plus, qelbesha era alkool.
Sepse burrave u pëlqen të marrin lodrën dhe të ikin, s’është faji im nëse s’kam gjetur një të hajrit. Më besoni, jam përpjekur. Dal çdo natë në fundjavë, e gdhij, por s’kam patur asnjëherë një one night stand pra, me një fjalë, s’i hap këmbët nëse s’kam një lidhje emocionale me personin. Përveçse e teproj ndonjëherë me alkoolin, përgjithësisht jam “vajzë e mirë” që në kuptimin e përgjithshëm do të thotë, nga ato për t’u martuar e për të bërë fëmijë.
Kjo s’do të thotë se unë kaq kërkoj nga vetja. Madje mesa duket, njerëzit mendojnë se unë jam krejt e kundërta e dikujt që do të martohet e të krijojë familje. Sapo kam nisur një biznes, një ide timen origjinale, dhe po punoj fort që të kthehet në diçka me përfitime. Jam rritur me idenë që, kur të rritesha, do të krijoja diçka vetë nga e para. Ama edhe qejfin me shoqërinë e dua. Por mbi të gjitha dua familjen. Dua të kem një burrë dhe dy fëmijë, për të cilët të rri pa gjumë natën e gjëra të tilla.
Ec e gjeje burrin.
I pari ishte i pari. Zgjati ndonja 5 muaj dhe pastaj e lashë nga krenaria se s’më kushtonte aq vëmendje sa doja. I dyti ishte i dyti, ai tek i cili gjen ato që të pëlqenin tek i pari dhe të kundërtat e atyre që s’të pëlqenin, por më pas kuptova se ishte pak a shumë si i pari dhe vetëm sa po e zgjasja kot. E kështu me radhë: efekti domino bëri që i treti gjithashtu të ishte si i dyti i cili në vetvete ishte si i pari, i katërti si i treti që ishte si i dyti pra si i pari e kështu më radhë.
I fundit ishte prapë si i pari. Unë e dija, por tashmë kisha reshtur së shpresuari për diçka më të mirë, kisha rënë në batakun e “të gjithë meshkujt njësoj janë” dhe kisha hequr dorë nga këmbëngulja për të gjetur dikë me të cilin krijohet familje. Sigurisht që ngado ta kapësh, faji është i imi. Kërkoj fundin e lumtur tek prototipi i gabuar, por ç’të bëj, më pëlqejnë këta që kanë dy-tri njohuri për artin, shkencën dhe kulturën dhe duket sikur s’më gjykojnë sepse dal e bëj qejf.
Por mesa duket, më paskërkan gjykuar. Sepse disa prej tyre janë martuar tani, me vajza që janë, në kuptimin më primitiv të konceptit, “nuse për shtëpi”. Mua s’më besohet! Kur ishin me mua, i gjykonin kaq shumë vajzat që ruanin veten nga presioni i shoqërisë dhe nuk pinin alkool dhe hashash. Tani, janë burrat e tyre dhe kanë bërë fëmijë me to. Sigurisht. Edhe unë do të isha martuar me dikë që më jep siguri, vetëm se s’po e gjej.
Megjithatë, unë prapë s’kam asnjë lloj cilësie për të mos qenë një bashkëshorte e mundshme, një nënë fëmijësh. Sigurisht që dal fundjavave, por gjatë javës punoj si qeni dhe lodhem aq shumë, sa vetëm dashuria mund të më qetësojë. Sigurisht që vishem ekstravagante, në stil androgjen, por kjo s’do të thotë se s’do ta vishja atë dreq fustani të bardhë.
Vërtet kam ndërruar 10 të dashur, por e kam bërë vetëm sepse po kërkoja të duhurin.
Sidoqoftë, nuk është as faji i tyre nëse krijojnë perceptim të gabuar mbi mua. Mendojnë që s’jam ashtu lloj gruaje që kërkon “t’ua lidhë këmbët” ngaqë s’i lejoj të m’i lidhin. Kjo u pëlqen, posi. Ku ta gjejnë të kenë një të dashur si unë, që s’është as xheloze, as posesive, që e mban alkoolin aq shumë sa i kam shoqëruar 10 herë në shtëpi kur i kishte zënë pija keq fare? Mirëpo, kur përpiqesha t’u shpjegoja se gjithë këto gjëra nuk tregojnë detyrimisht se s’dua të kem diçka më serioze, s’u pëlqente ta kuptonin.
Po s’është as faji im që përpiqem të gjej dikë si unë dhe se gjithmonë besoj se e kam gjetur. Dikë që e jeton jetën siç do, por ka një ide të qartë për të ardhmen. Dikë që nuk e shikon martesën si kafaz dhe gruan si xhandarin që gëlltit çelësin.
Mua s’më intereson t’i lidh këmbët askujt, dhe aq më pak më intereson të jem vajzë e mirë për shtëpi. Por këta “djemtë cool” paskëshin dashur “vajzat e mira” si ata “të tjerët” dhe unë, meqë kam patur 10 të dashur dhe nuk e kyç veten brenda kafazit, mesa duket nuk qenkam një e tillë. /Revista anabel


