Ka rënë në prangat e policisë autori i vendosjes së tritolit në banesën e Xhelal Daçit, babait të Gazmir Daçit, në Kamëz, disa ditë më parë.
Ai është 23-vjeçari Vilson Brahaj, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz.
Policia bën me dije se autori i dyshuar, pas kryerjes së krimit ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”.
“Mora 5000 euro për tritolin e vendosur pranë shtëpisë të së Daçit. Kisha nevojë për para, jam i varfër. Tritolin e kam blerë në Fushë-Krujë”.
Kujtojmë se në banesën e Xhelal Daçit u vendos një sasi e konsiderueshme tritoli më 27 korrik të këtij viti. Si pasojë e shpërthimit pati vetëm dëme materiale.
Autori Brahaj, kundrejt pagesës ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e Daçit.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti të cilin autori i dyshuar e ka përdorur për të transportuar dhe shpërthyer lëndën plasëse.


