ALPENews.al ka zgjedhur ditën e sotme si destinacion kryesor për t’u vizituar qytetin e Tiranës.
“Zemra” e Shqipërisë në të njejtën kohë edhe qendra më e madhe urbanistike e vendit, Tirana mirëpret shumicën prej turistëve nga vendet e huaja që vijnë. Kjo për arsye se është një urë lidhëse mes pjesës jugore, dhe veriore të vendit. Apo edhe sepse shumë afër me të gjendet Aeroporti kryesor i Shqipërisë (TIA-“Nënë Tereza”), afërsia me Portin e Durrësit, stacionet e autobuzëve ndërqytetas dhe ato me vizitues nga rajoni, hyrjet e automjeteve që vijnë për pushime, etj,.
Tirana i përfshin thuajse të gjithë llojet e aktiviteteve argëtuese. Një gamë e gjërë mënyrash se si të shijosh udhëtimin tënd në kryeqytetin e Shqipërisë gjithnjë edhe më shumë rifreskohet, duke u shtuar në numër.
Mëposhtë ALPENews.al do t’ju paraqesë disa prej fotove të Tiranës, shkrepur nga turistë që kanë vizituar qytetin brenda vitit 2018 (publikuar nga @visit_tirana)

PAK HISTORI PËR TIRANËN – KRYEQYTET


Për tu njohur me historinë e qytetit të Tiranës, duhet të kthehemi shumë pas në kohë, pikërisht në kohën kur fjala “Tiranë” u përdor për herë të parë.
Për emrin e qytetit ekzistojnë shumë gojëdhëna, megjithatë studime serioze kanë dalë në perfundimin se emri i Tiranës është përdorur shumë herët në histori. Për këtë arsye sot kemi tre hipoteza kryesore:
Sipas hipotezës së parë, fjala “Tiranë” mendohet se vjen nga fjala “Theranda”, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin “Të Ranat”, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujrat nga malet përreth.
Hipoteza e dytë thotë se “Tirana” vjen nga “Tirkan”. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpatin e Malit të Dajtit. Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë, që daton në fillimin e Shekullit I para Krishtit. Kjo mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop (shek.VI), e quan Kështjella e Tirkanit.
Hipoteza e tretë thotë se “Tirana” vjen nga greqishtja e vjetër, “Tyros”, që do të thotë bulmet. Mendohet se ky variant ka mbetur ngaqë në fushën e Tiranës bëhej tregtimi i bulmetrave nga barinjtë e zonave përreth.
Për herë të parë emri i Tiranës në formën e sotme përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut. Tirana filloi të formëzohet në 1614 nga Sulejman Pasha, i cili ishte me origjinë nga fshati Mullet. Fillimisht, ai ndërtoi një xhami, një furrë dhe një hamam. Këto tre ndërtesa qenë fillesat e qytetit, që hovin e zhvillimit do ta merrte në shek.XX.
Ky material u përgatit nga redaksia e ALPENews.al, për “Summer 2018”.















