Bujqësia është fusha kryesore e bashkëpunimit mes Kinës dhe Shqipërisë dhe me ngritjen e Qendrës së Inovacionit të Shkencës dhe Teknologjisë Bujqësore Kino-Shqiptare që u përurua këto ditë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, mund të kombinojmë prodhimin me studimin e bujqësisë dhe të konkretizojmë arritjet shkencore në rezultate konkrete, duke ngritur nivelin e bashkëpunimit bujqësor mes dy vendeve, në një stad të ri zhvillimi.
Kështu u shpreh Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Shqipërisë, Jiang Yu, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, e konsideron mjaft konkrete dhe të thellë bashkëpunimin midis Kinës dhe Shqipërisë në fushën e bujqësisë.
“Vitin e kaluar ne kemi organizuar një seminar në Kinë në fushën e bujqësisë dhe sivjet ne po nxitojmë për ngritjen e Qendrës së Makinerive Bujqësore në qytetin e Cërrikut, ndërsa planet janë për shumë projekte të tjera në këtë fushë”, tha ambasadorja Yu.
Aktualisht të dy palët, thekoi ajo, po negociojnë për inspektimin e cilësisë së produkteve bujqësore. “Ne mund të thellojmë bashkëpunimin e eksporteve bujqësore shqiptare në Kinë dhe kjo qendër do të luaj një rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, u shpreh ambasadorja Yu.
“Unë shpresoj që me këto bashkëpunime dhe këtë Qendër të Inovacionit të Shkencës dhe Teknologjisë Bujqësore Kino-Shqiptare në UBT, të dy vendet mund të shohin arritje konkrete në fushën e bujqësisë”, deklaroi për ATSH-në ambasadorja Yu.