Policia vijon ndalimin e refugjatëve që tentojnë të përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE dhe arrestimin e personave që i trafikojnë duke u dhënë ndihmë të paligjshme për kalimin e kufirit. Ditën e sotme janë arrestuar katër persona në Shkodër për dhënie ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit.
Të arrestuarit
- Bashkim Alijaj 35 vjeç banues në Tiranë
- Halil Hafuzi 43 vjeç banues në Shkoze Tiranë
- Gentjan Boçku 43 vjeç banues në Bathore Tiranë
- Adem Çela 32 vjeç banues në Bathore Tiranë
Arrestimi i tyre u bë pasi në hyrje të qytetit në lagjen “Bahçallek” Shkodër u kapën duke transportuar 15 refugjatë të vendeve të treta me qëllim kalimin e tyre nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër drejt Malit të Zi, e më pas destinacion final kishin vendet e BE.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 4 automjetet me të cilat po bënin transportimin e emigrantëve. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, parashikuar nga neni 297 i Kodit Penal.


