Andi Bushati ka komentuar deklaratat e opozitës për krimin dhe drogën ku ndalet tek denoncimi i kryedemokratit Lulzim Basha për kryetarin e Bashkisë Durrës Vangjush Dako.
Analisti gjykon se këto supozime janë më shumë problem për opozitën, pasi sipas tij “nëse flet me shkelje syri e nuk del me fakte të vërteta, do të humbasë besueshmërinë tek publiku”.
“Duket sikur ka një ngushtim laku për kryebashkiakun e Durrësit. Disa gazetarë që merren me dosjet e kronikës pohojnë se një kryebashkiak tjetër socialist ka rënë pre e përgjimeve, tani del opozita duke e futur në përgjime që sipas tyre janë bërë nga të huajt.
Unë e kam problemin më shumë këtu te opozita. Duhet të mbarojë ajo lloj loje me shkelje syri e me nënkuptime, o fol me fakte o hesht. Është debat shterpë kështu. Opozita o ka dokumenta, ose i bën hipoteza këto.
Kjo mund të ketë kundërefekt tek publiku, se shikoni zbulime të forta kanë bërë qytetarët dixhitalë të Berishës, por si kanë humbur ato kur Berisha denoncon për çdo gjë e shpesh ka dalë blof. Më mirë opozita të ngrejë kauza se sa të hedhë në sheshin e politikës të vërteta e të pavërteta bashkë,” tha Bushati në emisionin “Opinion”, në News 24. (TemA)


