Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Alma Brati, pritet të kalojë me sukses procesin e vettingut.
Në seancën dëgjimore që u zhvillua mesditën e sotme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se gjyqtarja ka bërë deklarim të rregullt pasurie.
Trupa gjykuese përbëhej nga Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo.
Gjyqtarja Brati, kandidate për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor, u përfaqësua vetë në seancë.
Relatorja Genta Bungo tha se Alma Brati i është nënshtruar procedurave me përparësi pasi është kandidate për KLGj.
Genta Bungo: Sipas ILDKPKI, Brati ka bërë deklarim të rregullt. KPK ka kryer hetim të thelluar për gjyqtaren Brati. Nuk ka kryer fshehje pasurie. Në vitin 2017 Brati ka deklaruar apartament me sip.100.1 m2 në Tiranë, blerë 80 mijë euro. Apartamenti i blerë me marrje kredie 50 mijë euro, 25 mijë euro hua nga tezja
Nga ana tjetër gjyqtarja Alma Brati kërkoi nga KPK të rikonfirmohet në detyrë.
Vendimi i KPK-së për gjyqtaren Alma Brati do të jepet nesër në orën 10:30.
Alma Brati është emëruar gjyqtare në vitin 2007. Më parë, ajo ka punuar si juriste në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Durrës dhe inspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Alma Brati nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.


