Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi ditën e djeshme seancën e vlerësimit të Kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku ndërsa pritet të jepet vendimi ditën e sotme.
Në këtë seancë, Prokurorja e Përgjithshme nuk ishte e pranishme, por u përfaqësuar nga avokatja Lirime Çukaj.
Komisioni i Pavarur Kualifikues vlerësoi aftësitë profesionale dhe të figurës, si dhe pasurinë e kreut të organit të akuzës.
Gjatë seancës, KPK vlerësoi se sipas ILDKPKI, Arta Marku ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare dhe nuk ka konflikt interesi.
Ndërkaq, edhe DSIK konfirmoi përshtatshmërinë e Markut në detyrë.
Për aftësinë profesionale, KPK ka shqyrtuar një ankesë ndaj Markut, ku rezulton se për një person të akuzuar për “drejtim mjeti në gjendje të parregullt”, ka kërkuar masë të ashpër “arrest me burg”. Mësohet se shtetasi A.P pretendon se Arta Marku i ka shkelur të drejtat, pasi nuk ka arsyetuar perse e ka kërkuar ta lërë në burg.
Kujtojmë se Arta Marku pasi mori detyrën e Prokurores së Përgjithshme, ndërmori masa për disa komandime, dhe duke pezulluar disa të tjera. Gjatë seancës në KPK, u bënë pyetje specifike për këtë mënyrë riorganizimi, por nga ana e subjektit të vettingut u shpjegua se “nuk ka procedurë për personat që komandohen përkohësisht”.


