Një sasi e madhe kanabisi është sekuestruar tre ditë më parë në Jug të vendit. Burime nga policia e Sarandës bënë me dije se policia ka bllokuar në një parking të një karburanti në zonën e Qafë Gjashtës në Sarandë një autokamper, i cili drejtohej nga një turist italian i cili shoqërohej nga një vajzë.
Bëhet fjalë për shtetasin VITO BARUCELI, 36 vjeç dhe të dashurën e tij DOMINGA SILVESTRI. Agjentët dyshonin se ai kishte fshehur drogë, ndaj e shoqëruan mjetin në pikën kufitare të Kakavijës për ta kaluar në skaner.
Pas kontrolleve të ushtruara në tavanin e autokamperit u gjetën të fshehura 383 kg kanabis, si dhe 96 kg në formë çokollate.
Çifti italian u mbajtën në paraburgim për tre ditë nën akuzën e trafikut të drogës.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se italiani me autokamperin vinte nga Durrësi ndërkohë që droga është marrë në një tjetër vend që për arësye hetimi nuk bëhet i ditur.
Ditën e sotme Vito Baruceli dhe Dominga Silvestri kanë dalë sot para Prokurorisë së Krimeve të rënda për tu njohur me masën e sigurisë.
Krimet e Rënda kanë dhënë masën e “Arrestit me burg” për italianin dhe shoqëruesen e tij, Dominga Silvestri.
Para Gjykatës italiani ka dhënë dëshminë tij duke thënë që nuk kishte lidhje me drogën dhe se e dashura e tij nuk kishte asnjë lidhje me këtë histori.
Nuk ka lidhje e dashura ime, unë nuk e dija që ruloja kishte drogë. Kam ardhur në Shqipëri për pushime. Do të flas në një moment të dytë.
AlpeNews.al







