Filozofia e një opozite nga lart që po zbatojnë prej gati një viti PD dhe LSI, nga një produkt me rezultate të shpejta që pritej të çonte në dështimin e shpejtë të qeverisë dhe rrëzimin e Ramës, duket se po prodhon efektin e kundërt.
Vendimi i ministrave të Jashtëm të BE në Luksemburg për “ti hapur dritën jeshile, çeljes së negociatave me Shqipërinë në qershorin e 2019”, bëri që të dështonte ideja e çuarjes së vendit në zgjedhje të parakohëshme, nëpërmjet provokimit të një krize politike nga dështimi i pritshëm i qeverisë në procesin e integrimit. Nga ana tjetër, edhe kauzat që e shoqëruan ndërkohë presionin e brendshëm dhe të jashtëm gjithnjë e në rritje kundër mazhorancës, dështuan.
Ndaj me siguri që për opozitën tonë, si edhe për gjithë klasën politike në tërësi, korriku pritet të jetë një muaj reflektimi dhe analize të thellë për vitin politik që po lemë pas. Për ti lënë vendin gushtit të pushimeve verore, me shpresën e një ristartimi të fuqishëm në shtator. Atëherë kur fillon jo vetëm një vit i ri politik, viti i dytë i mandatit të dytë të qeverisë dhe PD-së në opozitë, por edhe viti elektoral për zgjedhjet e përgjithëshme lokale të 2019.
Çfarë ka ndodhur gjatë këtyrë muajve të vrullshëm politik të gjysmës së parë të 2018?
Së pari, si opozita e vjetër e përfaqësuar nga PD ashtu edhe opozita e re e përfaqësuar nga LSI, nuk po arrijnë që të formësojnë një front unik opozitar, brenda së cilës të kombinohen dhe harmonizohen në një; Si opozita nga poshtë, pra opozita nga qytetarët, strukturat e partive të tyre kudo në territor, ashtu edhe opozita nga lart. Si opozita e rrugës, pra opozita e protestës qytetare, ashtu edhe opozita e salloneve të Tiranës. Si opozita e grupeve vurnerabël, ashtu edhe opozita e grupeve të interesit dhe oligarkisë. Si opozita reale, ashtu edhe opozita virtuale. Si opozita e protestës qytetare, ashtu edhe opozita e protestës dhe shfryrjes në internet. Si opozita e selive të partive dhe sallës së Parlamentit, ashtu edhe opozita e mediave tradicionale dhe atyre të rrjeteve sociale.
Së dyti, fronti i bashkuar opozitar nuk ka nevojë që të vjedhë kauzat e qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit, duke i politizuar ato deri në zhbërje, siç ishin rastet e protestave të qytetarëve të Kukësit për taksën e kalimit të automjeteve në rrugën e Kombit, apo rasti i protestës së artistëve në debatin për shembjen ose jo të godinës së Teatrit Kombëtar. Më e pakta, kjo mënyrë e të bërit opozitë nuk ka prodhuar rritje në perceptimin publik, e për rrjedhojë as efekte elektorale dhe më vonë as vota. Më e shumta, opozita me anë të këtyre veprimeve, ka marë mbi supe efektet e panevojshme negative të mungesës së ideve, kreaitvitetit dhe fuqisë për të prodhuar e gjeneruar vetë ide, kauza, çështje dhe për të ndezur me anë të tyre, aksione e vatra opozitare.
Së treti, kauzat kryesore të prodhuara deri më tani nga opozita, kanë qenë krejt të njëanshme, të fokusuara vetëm mbi drejtuesit apo ish drejtuesit e ministrisë së Brendshme, duke lënë fatalisht jashtë fokusit të gjitha fushat dhe sektorët e tjerë të jetës social ekonomike e kulturore të vendit. Kauzat me kapjen e 613 kilogramëve kokainë në një ngarkesë me banane të ardhur nga Kolumbia, çështja e “Babales”, ose audiopërgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm dhe deri tek e fundit, çështja e 3.4 milionë eurove të kapura sapo u futën në Portin e Durrësit me anë të dy makinave “Toyota Yaris”, nuk i kanë sjellë opozitës sonë ndonjë fitore as në planin politik, as në planin juridik e as në atë të shtetit të së drejtës.
Sëfundi, paralizimi i aktivitetit opozitar në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare të Kuvendit, ka çuar në deformimin e rolit dhe funksioneve natyrale politike të një opozite në një shtet normal demokratik. Pasi, nuk ka pothuajse asnjë rast deri më tani të marrjes së iniciativës për të propozuar një reformë, një paketë ligjore për çështje madhore, një ligj, një interpelancë, një debat me qeverinë, ministrat e Kryeministrit, të cilat krijojnë në sytë e gjithë opinionit publik, idenë e një opozite reale si alternativë pushteti në të ardhmen dhe jo thjeshtë e vetëm të një grupi njerëzish që e kanë ngushtuar aktivitetin e tyre opozitar në trekëndëshin: Selia e partive- salla e Parlamentit- studio televizive të Tiranës.
Këto dhe shumë elementë të tjerë më pak apo më shumë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së opozitës sonë, do ta bënin politikën që të mos shihej thjeshtë dhe vetëm si pjesëmarrje në grupe sherri, por si artin e qeverisjes, opozitarizmit, kompromist, të bërjes së të mundshmes të realizueshme dhe të ofrimit të alternativave reale për zgjedhësit dhe qytetarët shqiptarë.


