Një aksident i rëndë ndodhi të dielën që lamë pas në Shkodër, ku 7 persona u plagosën rëndë.
Përplasja ka qenë e fortë dhe mjeti tip ‘Fuoristradë’ ku udhëtonin 5 pjesëtarët e një familje është spostuar duke përfunduar jashtë rrugës.
Dy personat që ndodheshin te makina tip ‘Benz’ janë nxjerrë menjëherë dhe janë dërguar në spital, nga ‘Fuoristrada’ u nxorën gruaja me tre fëmijët, por jo kryefamiljari, që po drejtonte makinën.
Vitor Ndreka u përpoq ta shmangte makinën që i erdhi përballë, por i riu i dehur që drejtonte Benzin me targë AA 195 MV, nuk arriti për shkak edhe të rrugës së ngushtë ku po kalonin.
Si pasojë Vitor Ndreka dhe bashkëshortja e tij, së bashku me 3 fëmijët e tyre u plagosën rëndë. Vitori pësoi dëmtime të rënda në këmbë dhe në stomak për shkak të hemoragjisë që pati para se ta nxirrnin nga mjeti. Ndërkohë vajza e tij 17-vjeçare Lorena ka pësuar dëmtime të brendshme dhe të rënda në shtyllën kurrizore duke rrezikuar kështu të mos ecë më.
Mirëpo kush ishte shoferi i dehur i cili me papërgjegjshmëri të plotë aksidentoi një familje të tërë?
Ai u identifikua nga policia si Kristjan Vasa, 25 vjeç, nga qyteti i Shkodrës.
Emri i tij në fakt lidhet edhe me një tjetër aksident të ndodhur disa vite më parë në këtë qytet.
19-vjeçarja Gilberta Marku, pjesëtare e ekipit të futbollit ‘Juban Danja’. ishte duke udhëtuar me motor së bashku me të fejuarin e saj në 19 shtator të 2011, kur u përplas nga një makinë tip Benz.
Ajo humbi jetën ndërsa i fejuari i saj u plagos rëndë. Mirëpo shoferi i Benzit, në atë kohë vetëm 18 vjeç ia doli të shpëtonte pa iu hequr patenta.
Kushërira e Gilbertës, e cila jeton në SHBA dhe përmes mediave ka dëgjuar për aksidentin e tmerrshëm në Shkodër, ka njohur menjëherë emrin e shoferit që i vrau dikur të afërmen dhe na ka shkruar në JOQ.
Mesazhi i plotë:
Përshëndetje Jeta Osh Qef. Ju shkruaj nga Amerika dhe kam një çështje shumë të rëndësishme që dua ta diskutoj me ju dhe ta publikoj. E keni postuar edhe ju lajmin për aksidentin që ka ndodhur në një fshat të Shkodrës, të dielën në mbrëmje. “Dy makina kokë më kokë, 7 persona të plagosur”. Janë shumë detaje të tjera që nuk janë bërë aspak publike nga asnjë media . Personi që ka shkaktuar aksidentin quhet Kristjan Vasa, nga Guri i Zi, Shkodër. Para disa vitesh ky person ka marrë jetën e kushërirës sime dhe ka plagosur rëndë të fejuarin e saj që ishin në motor.Ky djali ishte edhe atëherë nen influencen e alkolit dhe me shpejtesi maksimale. Pas kësaj ngjarje po ky person ka plagosur me makine per shkak te shpejtesisë dhe pijes disa persona të tjerë, njeri prej tyre thuhet qe eshte akoma i paralizuar. Të dielën ky person po ecte 120km/orë kur u përplas me makinën e familjes Ndreka që plagosi shumë rëndë çdo pjesëtar. 3 pjesëtarë nuk janë më në gjendje kritike por babai është shumë keq, ka pësuar goditje të rënda nga timoni në stomak dhe palosur këmbët. Organet janë në gjendje të keqe akoma. Vajza 17-vjeqare nuk ka akoma ndjenja në të dyja këmbët. Kjo është një tragjedi që do të ishte evituar komplet po t’i ishte hek e drejta e patentës djalit dhe të ishte denuar siq duhet për vrasjen e vajzës para disa vitesh. Familja e djalit ka paguar policinë që të dali sa më shpejt dhe të mos i përgjigjet ligjit. Korrupsion në maksimum por që po e paguajnë njerëzit e pafajshëm me jetën e tyre. Ju lutem dua qe ta bëj sa më publike dhe që ky person të përgjigjet për çfarë ka bërë dhe të mos i lejohet që ta paguajnë me para siç e ka bërë në të kaluarën.”


