Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Han sqaron se vendimi i ministrave të Jashtëm është një dritë jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Qershor 2019.
Në një intervistë për gazetaren e Tv Klan në Bruksel, Erisa Zykaj, komisioneri thotë se me Shqipërinë do të fillojë menjëherë puna.
Vendimi i djeshëm i Këshillit të Bashkimit Europian përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë në Qershor 2019. A do ta konsideronit këtë një dritë jeshile simbolike apo një dritë jeshile të mirëfilltë?
“Është një dritë jeshile, pasi qartësisht u vendos që gjithçka duhet të përgatitet për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Qershor të 2019.
Kjo është realiste, lidhur me kohën e përgatitjes, pasi një tjetër element i rëndësishëm i vendimit të Këshillit të Ministrave ishte që Komisioni Europian të fillojë menjëherë punën përgatitore për hapjen e negociatave. Pra, ne tani mund të fillojmë me procesin e screening, që është një ekzaminim dhe seleksionim për kapitujt e ndryshëm të negociatave dhe në tërësi bëhet fjalë për 35 kapituj.
Ne duhet të ekzaminojmë nivelin e përgatitjes, për çdo kapitull krahasuar me legjislacionin europian të deritanishëm, apo thënë ndryshe “acquis communautaire”. Kjo nënkupton së paku qindra takime përgatitore dhe kjo fazë normalisht merr 1 vit. Pra, nëse ne fillojmë tani, ka shumë mundësi që ne të mbarojmë në Qershor të vitit të ardhshëm dhe pastaj t’i njohim shtetet anëtare me propozimin për hapjen e kapitujve.
Në konkluzionet e Këshillit thuhet gjithashtu që në fund të 2019 ne mund të hapim kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.


