E çuditshme, por e vërtetë në Kinë është ndërmarrë një fushatë për dorëzimin e arkivoleve dhe thuhet se që nga 23 qershori më shumë se 5 mijë banorë rezidentë në juglindje të provincës Xiangi kanë dorëzuar arkivolet e tyre me detyrim.
Kjo mbledhje e arkivoleve vjen pasi Kina po përpiqet që të ndryshojë perceptimin tradicional sa i takon ceremonisë së varrimit duke inkurajuar qytetarët që të djegin trupat e të vdekurve.
Sipas agjencisë kineze Xinhua, qytetarët shpenzojnë shumë me varrimet tradicionale, nuk kujdesen për burimet natyrore dhe gjithashtu nuk kursejnë as hapësirën e tokës me varrimet, ndërsa me metodën “kremim”, ku trupi i të vdekurit digjet nuk kërcënohen burimet natyrore, ka më shumë tokë të lirë dhe qytetarët nuk shpenzojnë.
Po sipas kësaj gazeta javën e shkuar janë parë tre kamionë që shkojnë e vijnë nga qytetit Gao’an për të mbledhur arkivolet e qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre.
Pra si duket kinezët i parapërgatitin vetë në mënyrë tradicionale arkivolet dhe i mbajnë nëpër banesat e tyre. Sakaq, sipas gazetës Global Times, banorët që dorëzojnë vetë arkivolet shpërblehen me një shumë prej 2000 yuan (308 dollarë) për çdo arkivol, një shumë tejet e vogël krahasuar me vlerën reale të arkivolit.
Por ka pasur edhe qytetarë që kanë dalë kundër kësaj reforme, duke u shprehur se marrja e arkivolit është dhunim dhe lëndim emocional.
Megjithatë në Kinë prej vitesh flitet për problemin e gjetjes së një hapësire për varre të reja, aq sa ka edhe varre familjare me kate dhe kjo është arsyeja pse Kina ka ndërmarrë një plan 5-vjeçar për zgjidhjen e këtij problemi.
Qeveria kineze promovon varrimin në det ose varreza poshtë pemës, ndërsa në zonat urbane është paraqitur ideja e varreve vertikale apo varre më të vogla se përmasat e trupit të vdekur, gjithnjë duke i mëshuar më shumë idesë së djegies së trupit.


