Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar është përplasur sot me kryebashkiakun Veliaj në nisje të tryezës mes artistëve dhe arkitektëve për ndërtimin e Teatrit të ri.
Neritan Liçaj, në emër të Aleancës, tha se nuk e njohin kryebashkuakun si autoritet të ligjshëm. Ai u shpreh pro ndërtimit të një teatri të ri në një vend tjetër dhe pasi lexoi deklaratën u largua.
Por kryebashkiaku Veliaj la të kuptohet se Aleanca po përdoret politikisht nga Partia Demokratike. Ai u shpreh se kishte të fotografuar mesazhin që i erdhi Liçajt nga partia dhe se e dinte se pasi të lexonte deklaratën do të largohej nga tryeza.
- DEBATI
Neritan Licaj: Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar me përgjegjësi të lartë qytetare i bënë me dije cdo qytetari të Republikës kudo ai ndodhet se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë konsensus me askënd sa kohë nuk tërhiqet projekt-ligji i cili grabit tokën publike të Teatrit Kombëtar.
Teatri Kombëtar dhe prona ku ai ngrihet është pasuri publike në aspektin ligjor dhe shpirtëror ndaj sigurojmë cdo qytetar se do e mbrojmë pa asnjë lëshim.
Komuniteti i aktorëve, Shoqërisë Civile dhe qytetarëve të angazhuar që janë bashkuar në qëndresën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkon dialog dhe bisedime konstruktive për rikonstruksionin e godinës aktuale si një vlerë dhe kujtesë historike.
Gjithashtu jemi të hapur për ndërtimin e një godine të re Teatri bashkëkohor në një vend tjetër publik me para publike. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të gjejmë formulën se si mund ti vijmë në ndihëm shtetit për mbledhjen e fondeve të kërkuara.
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ju përgjigj pozitivisht thirrjes së parë për bashkëbisedim por hasëm në përdorimin politik dhe manipulimin publik nga ana e qeverisjes vendore dhe qendrore duke gjuajtur nën brez.
Të vetëdijshëm për detyrën e lartë morale që kemi karshi qytetarëve, të qartë se interesi jonë është publikja dhe jo llogaritë e pushteteve, të kthjellët për cfarë rreziku na kanoset, me vetëdije të lartë qytetare dhe të vendosur i bëjmë me dije publikut se nuk do e lejojmë dhe nuk do e japim konsensusin për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe tjetërsimit të Pronës Publike.
Bëjmë thirrje për rivendosjen e dialogut. Ka vetëm një rrugë që palët të mund të fillojnë të flasin. Ka vetëm një kusht që ne nuk e negociojmë. Të tërhiqet projek-ligji.
Ne si artistë nuk e njohim Kryetarin e Bashkisë si autoritetin e ligjshëm me të cilin mund të negociojmë për këtë cështje. Sa kohë është iniciuar një projekt-ligj, autoriteti i cili duhet të reflektoj është autoriteti që ka propozuar projekt-ligjin për tjetërsimin e pronës publike.
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i bënë thirrje Kryeministrit të vendit të dalë në shesh e të përballet, ai duhet ta dijë mirë kë ka përballë, ai duhet ta dijë se i vetmi dialog që mund të zhvillohet, do zhvillohet me qeverinë, dhe në kushtet e tërheqjes së projekt-ligjit.
Mos luani me publiken, mos luani me Teatrin Kombëtar sepse ne e kemi ndarë mendjen për rezistencë shëmbullore. Mos sepse do ketë kosto të pakthyeshme për mardhënien mes komunitetit tonë dhe politikës.
Veliaj: Kjo që bëj sot është zgjedhja ime, e di kush është mbrapa, por mos më merrni për budalla, e kisha në celular porosinë që mori nga partia, dhe do ta botoj, që ju të kuptoni se kush po i lëviz fijet, por kam zgjedhur të bëjë këtë rol, më quani si të doni, edhe pse i di të gjithë. Por sot do bëjmë një bisedë qytetare mes njerëzve që merren me këtë punë. Nëse ju thoni që jeni dakord për godinë tëre, të jenë pjesë e grupit, që prona të jetë e TK, jam gati, por sa prej artistëve janë dakord. Dhe kjo ndarje e artistëve me porosi politike është fyese.