“Asgjë rastësisht” mund të ishte një titull i mirë romani. Aq më tepër kur e kupton se në këtë botë, pothuajse asgjë nuk ndodh rastësisht, në të vërtetë. Madje, as atëherë kur është fjala thjeshtë për përcaktimin e 28 qershorit 2018, si ditën e mbajtjes së Samitit të Brukselit. Një takim ku 27 krerët e vendeve anëtare do të vendosin për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit në BE, për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ditë kur do të qajnë gjithashtu, edhe hallin e tyre të madh, për zgjidhjen e çështjes aq të debatuar këto kohë, të refugjatëve që vijnë drejt BE nga zonat e luftrave dhe krizave.
Edhe nëse ky 28 qershor është caktuar krejt rastësisht, si një datë opurtune që i prish më pak punë krerëve të shteteve të Europës për tu takuar sëbashku përpara fillimit të pushimeve verore, kronologjia historike e kësaj date për Ballkanin, mer një domethënie të jashtëzakonshme. Një kuptim jo vetëm simbolik në raport me Europën vetë, por gati- gati kuptimin e një datë që duhet mbajtur mend mirë, sepse mund të shënojë ndoshta, një kthesë në raportin historic mes gadishullit të shumëpërfolur dhe kontinentit të vjetër.
Çuditërisht, 28 qershori ka një përkim simbolik e historik për europianët, të njëjtë me atë që ka për shqiptarët, 28 nëntori përshembull. Nëse kjo datë për Shqipërinë simbolizon 28 nëntorin e 1444 kur Skënderbeu ngriti flamurin me shkabën dykrerëshe në kalanë e lirë të Krujës, dihet që në 28 nëntorin e vitit 1912 Ismail Beu ngriti të njëjtin flamur në Vlorë, në një ballkon historik me pamje nga perëndimi, duke shpallur mëvehtësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Kështu nisi pas kësaj rruga e një shteti të ri në Ballkan, i cili edhe tani pas 106 vjetësh, ndodhet me gjithë ulje ngritjet e veta të jashtëzakonshme nëpër histori, në kërkim të rrënjëve të identitetit të vet europian.
Po çfarë ka ndodhur me 28 qershorët, që e bëjnë atë një ditë kaq simbolike për raportin e shqiptarëve me krishtërimin, qytetërimin perendimor dhe Bashkimin Europian sot, kaq interesant? Le ti marim shkurtimisht e kronologjikisht katër 28 qershorët e historisë me radhë, për ta kuptuar të gjithën këtë, më thjeshtë, më mirë dhe më qartë.
Më 28 qershor 1389, të ndodhur përpara furisë së një pushtimi të ri, për herë të parë mbretër, princës e fisnikë shqiptarë, serbë, bullgarë e rumunë, i harruan për pak kohë grindjet e tyre, duke krijuar frontin e bashkuar antiosman. Megjithëse luftëtari shqiptar Milosh Nikola Kopiliqi arriti që ta vriste Sulltan Muratin I, I cili drejtonte forcat osmane në betejë, ushtria e tij arriti që ti shkaktonte një disfatë të rëndë ballkanasve. Kjo i hapi rrugën Sulltan Bajazitit I, që të pushtonte gadishullin, mes tyre edhe trojet shqiptare, duke nisur fillimisht me Shkodrën, Krujën e për të shkuar deri poshtë në trojet shqiptare në Korçë e Përmet.
Kjo datë shënoi jo vetëm një humbje të madhe, por edhe fillimin e një nate të gjatë osmane që u shoqërua me islamizimin e popullsisë në territoret e pushtuara. Por, çuditërisht serbët e kanë atë një ditë gati të shenjtë dhe e festojnë si një fitore po aq të madhe sa disfata vetë. Ishte kjo arësyeja që në 600 vjetorin e kësaj dite, në 28 qershorin e 1989, Sllobodan Millosheviç në tubimin përkujtimor të Gazimestanit, përpara 2 milionë të pranishmëve, bëri deklaratën e famshme se nga sot e tutje askush nuk do të guxojë më që ti prekë serbët, duke i hapur rrugën ngjitjes së tij të shopejtë e përfundimtare në pushtet. Duke e bërë në këtë mënyrë 28 qershorin e vitit 1989, edhe ditën e fillimisht të shkatërrimit përfundimtar të Jugosllavisë dhe të nisjes së luftrave të përgjakshme në Ballkan dhe Kosovë.
Si pë ironi të fatit, “rastësia” me 28 qershorin do të vijonte plot 12 vjet më pas, edhe në 28 qershorin e 2001, kur Sllobodan Millosheviçi vetë, iu dorëzua Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. Një moment i paharruar për këdo që e ka ndjekur këtë operacion live nga CNN, ashtu siç po bënte edhe vetë kasapi i Beogradit. Fundi i historisë, është një film i parë, tashmë. Millosheviçi u gjet i vdekur në qelinë e tij më 11 mars 2006, vetëm pak muaj përpara përfundimit të gjykimit nga Haga.
Plot 17 vjet pas këtij momenti, po mbërrijmë në 28 qershorin e 2018 kur Shqipëria dhe Maqedonia presin të marin “PO”-në e Bashkimit Europian, për të nisur negociatat e anëtarësimit. Një vendim sikundër e kanë marë pak më parë edhe Serbia, por edhe Mali i Zi që iu shkëput Beogradit, vitin që vdiq Millosheviçi.
Ka shumë dilema për mënyrën se si do të votojnë udhëheqësit e sotëm Europianë këtë 28 qershor. Por nëse i besojmë shprehjes se “asgjë rastësisht në këtë botë”, duket logjike që ky i këtij viti, të futet në histori si 28 qershori i katërt. Ose si dita kur Europa i ktheu pas 629 vjetësh, borxhin e vet popujve të Ballkanit, për pasojat që ata kanë vuajtur, nga beteja e përgjakshme e Fushë Kosovës, e deri më sot.


