Avokati i Saimir Tahirit, Artan Hajdari ka folur në një prononcim për Televizionin Klan në lidhje me udhëtimin e ish ministrit të brendshëm jashtë vendit.
Hajdari thotë se ish-ministrit nuk mund t’i ndalohej dalja jashtë vendit për aq kohë sa prokuroria nuk kishte kërkuar një masë të tillë në gjykatë, ndonëse Kuvendi kishte dhënë autorizimin.
“Prokuroria nuk ka kërkuar këtë masë ndalimi edhe pse Kuvendi ia dha miratimin.
Nëse do ta kishte kërkuar prokuroria apo ta kishte vendosur gjykata masa e ndalimit do te kishte qene ne te gjitha pikat e kalimit kufitar. Do t’i ishte bllokuar pasaporta.
Kur një person është nën hetim, por nuk ka këtë masë ndalimi nuk është detyrim i personit që të njoftojë prokurorinë për lëvizjet e tij.
Kur prokuroria merr ose kërkon një masë ndalimi, është ajo që e njofton personin nën hetim dhe jo personi të njoftojë prokurorinë për lëvizjet”– tha Hajdari
E pyetur nga Televizioni Klan, zyra për shtyp e prokurorisë sqaroi se për sa kohë Kuvendi rrëzoi kërkesën për ndalimin e Z. Tahiri, çdo masë tjetër ndaj tij u vlerësua e papërshtatshme për t’u kërkuar.
Stepja e prokurorisë për t’i drejtuar Gjykatës duket se i ka dhënë hapësirë të lëvizë lirisht ish-ministrit Tahiri, i cili tashmë është kthyer në Tiranë pas një vizite të shkurtër në Gjermani, ku pa nga afër babanë e tij të shtruar në spital.


