Presidenti Erdogan ka që prej 2003 që drejton Turqinë, mirëpo kësaj here në garën për President ai ka përballë një grua.
Recep Tayyip Erdoğan mori tre mandate si kryeministër dhe një si president e megjithatë ka ndërmend që të vijojë të qëndrojë në krye të shtetit.
Meral Aksener, 61 vjeçe, është gruaja e cila po shkon qytet më qytet për të sigruar mbështetjen e votuesve turq kundër Erdoganit dhe është kthyer në makthin e tij.
Sipas traditës turke, sherret midis burrave e grave përfundojnë kur gruaja përplas shaminë në tokë. Për këtë arsye, Meral po mbledh shami te quajtura “jemeni”, nga mbështetësit e saj.
Ajo thotë se nëse arrin t’i japë fund regjimit të Erdoganit, do t’i vendosë shamitë mbi ish-pallatin presidencial në Ankara, një metaforë kjo për politikën agresive të ndjekur deri tani.
Për shumëkënd ajo është njëlloj si Margaret Theçer në Britani, prandaj ata e thërrasin “Zonja e Hekurt”.
Në një takim të fundit në Adana ajo tha:
Turqia është qeverisur nga një mashkull i ashpër për një kohë të gjatë, por ne do ta ndryshojmë. Disa më thonë motër e disa nëna Meral. Jam e lumtur me këtë të dytën. Unë kam luftuar me Erdoganin dhe sjelljen e tij të jashtëligjshme gjatë 3 viteve të fundit. Zgjedhjet drejt të cilave po shkojmë janë ato që dëshiron ai. Ky nuk është një sistem presidencial si ai i demokracive perëndimore.”
Aksener është e vetmja grua në garë për zgjedhjet presidenciale që Turqia mban më 24 qershor. Por nuk është gjinia veçantia e saj e vetme si kandidate. Me pikëpamje konservatore dhe nacionaliste të qëndrueshme në kohë, ajo ka shumë gjasa të marrë votues nga elektorati i Erdoganit. Sipas sondazheve, ajo do të renditet e treta.
Edhe pse nuk shihet si kandidatja më e fortë opozitare, Aksener shihet si instrumenti që do të ndryshojë zgjedhjet që mbahen në fund të kësaj jave.
Kandidati kryesor i opozitës, Muharrem Ince, i cili projektohet i dyti, e ka galvanizuar bazën e tij të qendrës së majtë. Por ai nuk ka gjasa t’i ndajë konservatorët siç mund ta bëjë Aksener.



