Zbardhet vrasja e 20-vjeçares shqiptare në Itali, Anxhela Meçani. Policia italiane ka arrestuar pasditen e djeshme, një burrë i kombësisë italiane, i cili ka qenë klienti i fundit i prostitutës shqiptare.
Anxhela u hodh nga një automjet në një autostradë pranë Torinos dhe humbi jetën në spital si rrjedhojë e plagëve të rënda të marra në trup. Pas arrestimit të autorit të dyshuar në provincën e Cuneos, policia ka sekuestruar edhe automjetin e tij.
Mësohet se vrasësi kishte kërkuar shërbime seksuale nga Anxhela dhe ishte larguar me të në drejtim të një pylli. Besohet se pas marrëdhënieve seksuale, ai ka refuzuar të paguajë 20-vjeçaren shqiptare e cila është revoltuar dhe i ka marrë atij me forcë paratë. Në këtë moment, autori hap derën e pasagjerëve dhe hedh nga automjeti të renë.
20-vjeçarja shqiptare nga Fieri, ishte larguar disa kohë më parë në drejtim të Italisë ku ushtronte prostitucion.


