Kanë marrë tjetër rrugë zhvillimet e hetimit për Anxela Meçanin, 20-vjeçaren shqiptare, e cila vdiq e vetme në spitalet e Italisë, pasi e hodhën nga makina, rreth një javë më parë.
Gjatë pasdites së djeshme, hetuesit kanë mundur të ndalojnë një person, i cili dyshohet të jetë njeriu i fundit me të cilin Anxhela ka qenë në kontakt përpara se të ndërronte jetë.
Bëhet fjalë për një klient të saj, me banim në Cuneo. Mediat italiane e cilësojnë viktimën shqiptare si një prostitutë të re në moshë.
Italianit i është sekuestruar automjeti, ndërsa nuk është bërë i ditur identiteti i tij.
Zbulimi i tij është bërë pas pamjeve të kamerave të sigurisë të sekuestruara nga policia dhe të hetuara me kujdes.
Ata janë takuar bashkë në hyrje të pyllit në Stupinigi dhe me sa duket, klienti nuk ka dashur që ta paguajë, por e reja ka mundur t’ia marrë paratë me forcë.
Duke udhëtuar me makinë, ai ka hapur derën e pasagjerit dhe pasi ka ndaluar makinën, e ka nxjerrë Anxhelën me dhunë, duke e shtyrë në rrugë.
Mediat italiane shkruajnë që më pas e reja është ngritur sërish dhe ka bërë disa hapa në këmbë për të ndjekur makinën e klientit të saj, por për shkak të goditjeve të rënda, ka humbur ndjenjat.


