Fillimi i javës pritet të jetë një ndër momentet më të rëndësishme të procesit të Vetting-ut. Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vendosë nëse ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do t’i nënshtrohet hetimit të pasurisë, si dhe analizës së figurës morale dhe aftësive profesionale.
Gjatë kësaj periudhe, Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit, pasi ka gjetur probleme në justifikimin e pasurisë, ka përjashtuar 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulon, Fatmir Hoxhën dhe Altina Xhoxhajn.
Kush janë ata që “ngecën” në rrjetën e Vettingut:
Fatos Lulo:
Fatos Lulo u rrezua pak jave me pare nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka kaluar Vettingun për shkak se nuk mund të justifikonte pasurinë e tij. Në përfundim të vlerësimit të gjykatësit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi gjykatësin nga detyra për shkak të pasurisë së tij.
Gjykatësi Fatos Lulo nuk arriti të justifikojë 480 mijë dollarë me të cilat do të blinte një shtëpi në Kanada dhe 100 mijë euro. Të dyja këto shuma, gjykatësi pretendoi se ia kishte marrë të motrës hua apo si dhuratë.
Fatmir Hoxha:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për gjyqtarin Fatmir Hoxha, duke e shkarkuar nga detyra, si pasojë e mos justifikimit të pasurisë.
Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha nuk e justifikon pasurinë e tij. Ky ka qenë konstatimi i Komisionit i Pavarur i Kualifikimit lidhur me burimet e pasurisë për blerjen e një apartamenti me vlerë 140 mijë euro.
Mospërputhje në deklarim për burimin e parave, mban shume para cash, vendime ne konflikt interesi, mungesë të ardhurash për blerjen e një apartamenti në vitin 2005, 109 metra katrorë me vlerë 60 mijë euro dhe probleme edhe me një truall që ka në Gjirin e Lalzit. Këto janë vetëm disa nga konstatimet e KPK për pasurinë e Altina Xhoxhajt, që “ngeci” në Vetting.
Vendim negativ është dhënë edhe për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva dhe prokuroren e Prokurorisë së Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani.
Besim Trezhnjeva shkarkohet nga detyra si pasojë e mos kalimit të vetingut.
Nga hetimet e kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rezultuar se gjyqtari Trezhnjeva ka gënjyer për një kredi prej 50 mijë euro për të blerë apartament.
Sipas dokumenteve të KPK, rezulton se kredia ka kaluar në llogari të një kompanie ndërtimi në Durrës.
Besa Nikëhasani ishte prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër. Komisioni konstatoi se ajo nuk justifikonte pasurinë, duke paralajmëruar kësisoj mundësinë e përjashtimit të saj nga gjyqësori që në mbledhjen e parë të saj.
Besa Nikëhasani është prokurorja e parë e cila mbeti në vlerësimin nga KPK pas gjyqytarëve Fatos Lulo dhe Besim Trezhnjeva, të cilët nuk e kanë kaluar vettingun për shkak të mos justifikimit të pasurisë.
AlpeNews.al







