Çlirim Shaholli, i arrestuar për vrasjen e gruas së tij dy ditë më parë në Durrës, ka shfaqur pendesë për krimin e kryer. 42-vjeçari ka marrë përsipër autorësinë, por ka pretenduar se nuk kishte për qellim ta vriste nënën e 6 fëmijëve të tij. Sipas deponimit të dhënë para bluve sherri mes bashkëshortëve kishte nisur për shkaqe banale.
“Nuk kisha për qëllim të vrisja. Kur shkova në shtëpi, ajo më kërkoi që të dilja dhe të gjeja punë pasi nuk siguronim dot bukën e fëmijëve. Pas një sherri momenti e kam shtyrë dhe asaj i është përplasur koka përtokë, por nuk e dija që kishte vdekur. E dija vetëm që ishte plagosur. Pasi erdha në Polici, e mora vesh që Ardjana kishte ndërruar jetë”.
Ai u tha hetuesve se i vinte shumë keq për tragjedinë që u shkaktoi 6 fëmijëve të tij, duke i lënë jetim. Vrasja e Ardjanës ishte një krim i paralajmëruar. Të afërmit e saj i thanë policisë se i shoqi e dhunonte sistematikisht.
Familja Shaholli ishte zhvendosur nga Korça në zonën e Kënetës për një jetë më të mirë. E vetmja që punonte në shtëpi ishte Ardiana, ndërsa autori sipas familjarëve ishte konsumues i rregullt i alkoolit.


