Rusia ka një oligark të ri në krye të listës. Vladimir Lisin, i cili filloi punën si montues elektrik në Siberi në vitet 1970, është tani personi më i pasur i Rusisë.
Manjati i metaleve la pas rivalin Alexey Mordashov, pasi aksionet e kompanisë së tij, “Novolipetsk Steel Lisin” u rritën me 3.5%, duke e çuar pasurinë e tij në 20.19 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve nga Bloomberg, i cili rendit 500 njerëzit më të pasur në botë.
Lisin, 62 vjeç, gjithashtu kontrollon operatorin më të madh hekurudhor të mallrave të Rusisë dhe interesave në transportin detar, ndërtimin e anijeve dhe turizmin.
Ai është aksioneri kryesor i “Novolipetsk Steel”, që vetëm gjatë këtij viti e ka ndihmuar ta shtojë pasurinë me 2.17 miliardë dollarë.
Rivali i tij, Mordashov, drejtues i “Severstal PJSC”, e rriti pasurinë e tij me 2.6 për qind gjatë këtij viti, praktikisht në total 20.18 miliardë dollarë.
Lisin është diplomuar në Institutin Metalurgjik Siberian në vitin 1979 dhe punoi në vende të ndryshme të punimeve në hekur dhe çelik.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ai u shpërngul në Moskë në vitin 1992 dhe filloi të eksportonte metale.
Brenda pesë viteve, duke përdorur fitimet tregtare, ai arriti të merrte shumicën e aksioneve në NLMK përmes tregut sekondar dhe u bë kryetar i saj.
Kompania ishte prodhuesi më i madh i çelikut në Rusi nga prodhimi në vitin 2017, sipas Shoqatës Botërore të Çelikut.


