Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me asfiksimin e nxënësve të shkollës së Shupenzës. Ministria tha se 30 nxënës po marrin mjekim, situata është nën kontroll dhe për çdo emergjencë, ka vënë helikopterin në dispozicion.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për shërbimin mjekësor në spitalet e Bulqizës dhe të Peshkopisë të 27 nxënësve, 15 prej të cilëve po marrin trajtimin e duhur mjekësor në spitalin e Bulqizës dhe 12 po transportohen aktualisht në spitalin e Peshkopisë. Qendra Shëndetësore Shupenzë ka dhënë ndihmën e parë për të gjithë nxënësit dhe po vazhdon të japë shërbim në vijim të paraqitjes së rasteve të reja. Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu po ndjek nga afër situatën në komunikim të vazhdueshëm me strukturat shëndetësore në terren dhe ka ngritur Task-Forcën e Emergjencës me mjek të specializuar për këtë ngjarje. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion Njësinë e Helikopterëve në rast se do të jetë e nevojshme transporti për mjekim më të specializuar në Tiranë”, thuhet ne njoftim.
Policia ka dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me incidentin në shkollën e Shupenzës në Bulqizë, ku dhjetra nxënës pëfunduan në spital të helmuar. Sipas Policisë, helmimi i nxënësve ka ardhur nga tymi i druve dhe jo nga gazi, pasi ishte bllokuar oxhaku i shkollës. Shkolla ngrohej me dru dhe jo me gaz.
Informacioni:
Rreth orës 10.40, specialistët e postës së policisë Shupenzë, kanë marrë informacion se disa nxënës shkolle kanë shkuar për të marrë ndihmë mjekësore në qendrën spitalore në Shupenzë. Menjëherë kanë shkuar në ambjentet e qendrës spitalore ku nga veprimet paraprake të kryera ka rezultuar se : Në një shkollë të mesme në qendër Shupenzë, janë ndezuar kaldajat me lëndë drusore për ngrohjen e ambjentit, dhe në momentin e ndezjes oxhaku i shkollës ka qenë i bllokuar dhe për pasojë tymi është shpërndarë në ambjentet e brendshme të shkollës duke shkaktuar ndotje të ambjentit. Për pasojë janë asfiksuar dhe ndjerë keq nga ana shëndetësore disa nga nxënësit e kësaj shkolle, ku 16 prej tyre të moshave 16-18 vjeç, po transportohen për ndihmë më të specializuar drejt spitalit të Bulqizës, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje.




