Komisioni i Ligjeve është përfshirë nga debatet mes shumicës dhe opozitës. Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj u shpreh se shumica dhe Rama duhet të reflektonte pas protestës, sipas të cilit ishte një leksion.
Debatet në Komisionin e Ligjeve
Enkelejd Alibeaj: Pas protestës prisnim një reflektim, nga ju si kryetar, por edhe nga disa të tjerë, që duhet të nxirrnin leksion nga protesta. Pas një muaji do të vendoset një cështje e madhe për shqiptarët, por nuk ka asnjë reflektim. Sot është një thirrje e madhe për politikën, shqiptarët u ngritën dhe folën në atë protestë. Shqiptarët treguan se ende kanë disa vlera morale, nuk janë dakord me krimin dhe me drogën. Këto leksione duhet të lexohen. Marka e Shqipërisë sot është ‘jeshile’ ose e ‘bardhë’. Ju nuk doni, por për shkak të presionit u detyruat të një masë të ndërmjetme pa i bërë dëm atij, arrest në shtëpi (Tahirit). Dje ndodhi ajo që nuk imagjinohej. Ne mund të radikalizonim qëndrimin, por jo për hir të interesit dhe çeljes së negociatave. Cfarë i kushton kësaj shumice që të largonte ministrin e Brendshëm, vëllai i të cilit është kapur për krim. Si mund t’i ofrohemi në Europës me një ministër që ka kapur drejtësinë. Nuk është ndonjë gjëmë e madhe, pse nuk ka mes jush njerëz që nuk kanë asnjë lloj lidhje. Sot jemi 30 ditë para vendimit, dhe fillon numërimi mbrapsht….
Ulsi Manja: Ne presim një vendim pozitiv për negociatat për të gjithë shqiptarët dhe do Zoti numërimi të ecë mbarë dhe jo mbrapsht sikur thotë opozita.
Oerd Bylykbashi: Ne kur ishim në qeveri shpresonim te puna dhe jo te Zoti. Ju keni eksportuar markën e drogës në botë dhe policitë e këtyre vendeve po krijojnë departamente të veçanta vetëm për shqiptarët. Angli po tmerrohet. Po a nuk ka PS njerëz të tjerë? Nga PS thonë ‘PO’, por Rama do këta si Tahiri dhe Xhafaj. Kërkojini Xhafës të iki, ose largoheni ju.
Ulsi Manja: Ftesa vjen nga ana ime për ju, mos e pengoni integrimin e Shqipërisë. Unë po u ftoj të bëhemi bashkë, të ecim përpara.
Flamur Noka: Ne denoncuam kanabisin, ju filluat të mbyllnit veshët, më pas edhe hungët, ne paralajmëruam se do të paguanit një haraç, por nuk donit të ia dinit. Rama na i paraqiti delirantët si heronj, koha po na jep të drejtë. Ju me në krye timonierin dhe krye tepsixhiun e futët Shqipërinë në qorrsokak, edhe tani ne jemi më të shqetësuar për integrimin, prandaj ishim edhe në shesh. Tepsixhiu të reflektojë, se nuk ka të drejtë të marrë në qafë fatin e vendit. Opozita ka bërë thirrje më shumë se qeveria për hapjen e negociatave. Ne na dhimbset ku vend dhe kontributi jonë gjithë këto vite. Unë kam qenë që me këtë parlament duhet të ndërprisnim cdo marrëdhënie, por respektoj vendimin e opozitës. Jemi këtu për të kontribuar edhe këto ditë dhe shpresoj që të hapen negociatat. Por Rama është arrogant dhe kam frikë se sinjalet janë dhënë…Cdo faturë do ta mbani në kurriz, më kot përpiqet Rama të shantazhojë dhe shmangë vëmendjen nga përgjegjësia.


