Ministria e Brendshme dhe ministria e Financave dhe Ekonomisë firmosën sot një marrëveshje bashkëpunimi me ‘Ernest&Yang’ në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimin e parave.
Fjala e Fatmir Xhafajt
“Janë një sërë veprash penale për t’u verifikuar. Policia e Shtetit është në një moment reformimi në këtë fushë, në kuadrin e reformimit të policisë kriminale. Miratimi i planit të veprimit për këtë çështje është hap i rëndësishëm përpara, që do ta vërë këtë çështje në prioritetet e qeverisë, por dhe koordinimi më i mirë mes agjencive ligjzbatuese që operojnë në këtë fushë. Operacioni Forca e Ligjit na ka dhënë një mësim të rëndësishëm, sado e fortë të jetë një agjenci, nëse nuk kemi koordinim të mirë mes të gjitha agjencive nuk mund të kemi suksesin e duhur.
Në kontekstin e këtij plani veprimi, kjo mbetet një nga domosdoshmëritë për të pasur sukses. Ofrimi i një kompanie të tillë me eksperiencë ndërkombëtare do të jetë vlerë e shtuar për analiza të rëndësishme, për të kuptuar cila është qasja më e mirë në vendin tonë. Për të identifikuar cilat mund të jenë organizimet më të rëndësishme, për të rritur nivelin e trajnimit të kapaciteteve që kemi, për të koordinuar jo vetëm ndërveprimin mes aktorëve shqiptarë, por dhe me aktorët ndërkombëtarë që operojnë në fushën e pastrimit të parave.
Një gjë është shumë e rëndësishme, trajtimi i gjithë këtyre raporteve, burimeve, të dhënave, që kërkojnë kompani të aftë për ta bërë këtë gjë. Shpresoj që nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të jetë kontribut në fushën e luftës kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe korrupsionit”./AlpeNews.al


