Strategjia opozitare e Lulzim Bashës pas 2013, ndryshe nga ajo e opozitës së parë 8 vjeçare e Sali Berishës (1997- 2005) nuk bazohet tek protestat e përditëshme. Por, kryetari i ri i PD ka zgjedhur ta kalojë udhëtimin në kohë opozitar të së djathtës shqiptare, nëpër disa gurë kilometrikë, siç mund ti quajme protestat në qendër të Tiranës. Protesta këto që janë zhvilluar në intervale kohe pothuajse të njëjta, një herë në 6-7 muaj.
E përbashkëta e këtyre protestave “të mëdha” në formën e piketave të rëndësishme për të mbajtur gjallë shpresat dhe frymën opozitare, lidhet me faktin se përpara secilës prej tyre, për disa javë me radhë opozita përpiqet shumë derisa një çështje ta shndërrojë në një kauzë pak a shumë të besueshme, për ta përdorur kësisoj, si një sebep të madh, për të thirrur popullin opozitar në “mitingun kilomentrik” të radhës.
Protesat e fundit ka qenë në fillim të këtij viti, pas shkarkimit të Kryeprokurorit Llalla dhe emërimit nga Parlamenti të Kryeprokurores së re. Përpara saj, si “maja” për ngjizjen e frymës së protestës shërbeu ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ndërsa këtë radhë, si shkak po përdoret audiopërgjimi i famshëm tashmë i Babales së Vlorës, që pretendon se ka zhvilluar bisedë e më pas trafik droge me vëllain e ministrit të Brendshëm në detyrë Fatmir Xhafaj, me pretendimin se ai kishte për këtë, mbështetjen e strukturave të dikasterit të policisë dhe të qeverisë.
Për të maksimizuar pjesëmarrjen e qytetarëve, opozita i mëshon aq shumë “sebepit” të radhës, nëpërmjet propogandës së vet, debateve dhe rrëmujave në Parlament, në media, në rrjetet sociale, nëpër studio televizive, sa tek pjesa e militantëve dhe e mbështetësve të saj kulmi i efekteve të propogandës arrin në orën e fillimit të protestës. Një kulminacion, që bashkë me mobilizimin e strukturave dhe drejtuesve të opozitës për të nxjerrë në shesh sa më shumë njerëz për të dëshmuar “muskujt”, një pjesë e retorikës ngjit aq shumë, sa disa nisin dhe besojnë se dalja e tyre në miting do ti bëjë dëshmitarë të historisë. Dëshmitarë të rrëzimit të qeverisë dhe rikthimit të opozitës në pushtet.
Ky është edhe miti i parë i madh e më i rremë, mes gjithë miteve të tjerave opozitare në protestat të tilla si kjo e 26 majit. Eshtë një mit i rremë, sepse në këto 27 vjet pluralizëm në Shqipëri dhe kudo në botën demokratike, qeveritë bien vetëm për dy arësye:
E para, ato ikin nga pushteti vetëm me anë të votës së qytetarëve në ditën e zgjedhjeve të përgjithëshme parlamentare.
E dyta, qeveritë ikin nga pushteti, kur ato humbin legjitimitetin deri në atë masë kritike, sa e kanë të pamundur që të vijojnë më tej drejtimin e vendit. E vërteta e thjeshtë është se qeveria Rama do vijojë të qeverisë vendin edhe më 26, edhe më 27 maj 2018 dhe më tutje…
Një mit tjetër i rremë që krijohet në protesta të këtij lloj është formësimi i psikozës kolektive, sikur kjo do të tjetë e fundmja e kësaj opozite. E vërteta e thjeshtë është se kjo nuk është as protesta e parë dhe as e fundit. Eshtë thjeshtë protesta e radhës, me sebepin e radhës, nga ana e opozitës së radhës.
Një mit tjetër i rremë që krijohet në raste si ky, është loja me frikën e degjenerimit të protestave në përgjithësi, por edhe e kësaj të radhës në veçanti, në dhunë ndaj policisë, institucioneve, pronës së përbashkët apo private etj. Jo se protesta të dhunshme nuk janë zhvilluar në Shqipëri, por as edhe se mundësia e episodeve të tilla, është e përjashtuar 100%. E vërteta e thjeshtë është se PD është një parti që e ka në ADN-në e saj protestën, shpirtin dhe frymën e saj. Shkaqet apo sebepet e degjenerimit të protestave në dhunë, janë krejt të ndryshme, nga ajo e kësaj radhe. Aq e papërfillshme është mundësia që të ketë dhunë kësaj radhe, sa për herë të parë, Ambasada e SHBA që e ka “rutinë” njoftimin një ditë përpara të qytetarëve amerikanë që të qëndrojnë sa më larg për të shmangur çdo eventualitet të mundshëm, sa këtë radhë porosia është reduktuar vetëm thjeshtë për personelin e shërbimit diplomatik në Tiranë.
Një mit tjetër i rremë është ai që lidhet me krijimin e psikozës se duke protestuar kundër ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj këtë radhë, ai nuk do të jetë më nesër në detyrë. Fakti i thjeshtë është se edhe përpara se të merte këtë post, liderët e PD u angazhuan e u betuan publikisht e solemnisht se Fatmir Xhafaj do të hynte në atë zyrë, vetëm po të kalonte mbi trupat e tyre. Fatmir Xhafaj është ende edhe pas një viti në këtë detyrë dhe e vërteta tjetër e thjeshtë është se ai do të vazhdojë të jetë aty, edhe pas kësaj proteste.
Miti i fundit i rremë për këtë protestë është se ajo nuk dihej se sa kohë do të zgjaste. E vërteta e thjeshtë është se vetë organizatorët e protestës e reduktuan në 4 orë pjesëmarrjen e përkrahësve të saj.
A e dini pse? Sepse të gjithë më shumë sesa tek mitingu, mendjen e kanë tek finalja e Champions Leagues. Ndaj, e sigurtë është se më shumë sesa për qeverinë, shumica e tyre do flasin edhe gjatë tubimit në bulevard, për ndeshjen e madhë të mbrëmjes së të shtunës së 26 majit. Ndaj edhe bisedat ështe krejt e natyrshme të vërtiten rreth pyetjeve: A je me Realin apo me Liverpulin. Me Ronaldon, apo me Salah. Si mendon që ta vendos: 1, X apo 2? Hë, si thoni ju?!


