Zbardhen te tjera detaje per ciftin e bashkëshortëve Fisnik Kajolli 34 vjeç dhe Migena Kajolli 27 vjeçe, nga fshati Dermenas i Fierit, te cilet u prangosen te marten me akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.
Arrestimi i tyre u bë pasi në Prokurorinë dhe Policinë e Fierit u paraqitën qytetarë, të cilët ishin mashtruar nëpërmjet një skeme “të ligjshme”, ku për dhënien e parave të tyre kishin firmosur edhe te noteri sikur do të jepej në formën e një huamarrje.
SKEMA
Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, bashkëshortët iu premtonin qytetarëve të ndryshëm vende pune nëpër kompani private. Zhvatja ka nisur në vitin 2016, ku ata kishin ndërtuar një skemë mashtrimi duke u prezantuar si një çift me njohje e miq në sfera të ndryshme të biznesit. Ata iu premtonin qytetarëve se do të shfrytëzonin pikërisht këto njohje e miqësi për të ndërmjetësuar në kompani të ndryshme të zonës.
Përmes ndërhyrjes së tyre, këto kompani (kryesisht në sektorin e hidrokarbureve) do t’u siguronin qytetarëve kontrata pune. Sipas burimeve nga hetimi, ka rezultuar se strumbullari i gjithë kësaj vjedhjeje ishte 27-vjeçarja.
Kjo e fundit mësohet se pasi binte në kontakt me njerëzit që kërkonin punë, u merrte një shumë parash që shkonte nga 1 mijë deri në 3 mijë euro dhe pas kësaj u thoshte se kompania e interesuar do t’u dërgonte një mesazh konfirmimi në telefon. Në të vërtetë, mesazhet ua dërgonte vetë Migena më pas, nga ku të interesuarit mbaheshin për disa kohë pezull me argumentin se rasti i tyre ishte në shqyrtim.
Burime nga Policia bënë të ditur se 27-vjeçarja me të shoqin, për t’u bërë sa më të besueshëm për qytetarët, ua merrnin atyre paratë pasi kishin firmosur më parë te noteri. Te noteri gjithçka ishte e ligjshme, pasi qytetarët dhe sekserët binin dakord paraprakisht që para noterit do të firmosej sikur këto para iu jepeshin atyre në formë huaje.
Kjo skemë kryhej me të gjithë qytetarët, të cilët ishin skeptikë në dhënien e parave. Për t’u bërë sa më të besuar për ta, vetë çifti propozonte që të bënin kontratë noteriale sikur paratë i jepnin si formë borxhi për një periudhë të caktuar. Ndërkohë që verbalist, ata kishin rënë dakord më parë se paratë do t’u ktheheshin nëse punëmarrësit do të kthenin përgjigje negative.