Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, të organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Bonn të Gjermanisë. Rritja e financimeve në kuadër të përpjekjeve për të luftuar ngrohjen globale dhe promovimi i investimeve të gjelbra, ishin në fokusin e kësaj Konference, ku Tirana u përzgjodh si një shembull suksesi i bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe BERZH-it në financimin e projekteve miqësore me mjedisin dhe që ndikojnë në lehtësimin e problemeve klimaterike.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që puna e bërë në këto dy vite, por edhe vizioni i Bashkisë së Tiranës për të investuar në projektet miqësore me ambientin, e kanë bërë që të merret si një shembull suksesi edhe në takime të tilla kaq të rëndësishme.
Veliaj veçoi: “Ne kemi mbaruar me sukses testimin e autobusit elektrik në Tiranë dhe ky është një rast tjetër për t’u bërë apel të gjitha kompanive që janë sot operatorë, të fillojnë dhe të bëjnë porositë e tyre për autobusët elektrik”.
Në të kundërt, ai paralajmëroi se nëse operatorët ekzistues të transportit publik në Tiranë apo edhe kompanitë e huaja nuk ofrohen për të sjellë në Tiranë autobusë elektrik, atëherë Bashkia e Tiranës do të ketë një kompani publike të vetën, që do ta ofrojë këtë standard.
Gjithashtu, në kudër të politikave mjedisore ai shtoi edhe investimet e Bashkisë së Tiranës për shtimin e korsive të dedikuara për biçikleta duke filluar nga viti tjetër.
Veliaj u shpreh: “Sapo kemi dakordësuar me BERZH-in kredinë e parë, pas gjithë vendimeve të vështira që morëm për Ujësjellës Kanalizimet e Tiranës, sot jemi më të kreditueshëm dhe më të besuar nga ana financiare”.


