Ish-deputeti i Partisë Demokratike, biznesmeni Ndriçim Babasi ka folur lidhur me dhunën e ushtruar ndaj veteranëve të luftës gjatë ceremonisë në varrezat “Dëshmorët e Kombit”.
I pyetur mbi militantët demokratë që u bënë pjesë e sherrit, Babasi thotë se janë ndjerë të provokuar dhe se për këtë fajin e ka kryeministri Edi Rama.
Ngjarja ndodhi pak minuta para se të mbërrinte kryedemokrati Lulzim Basha i cili zgjodhi të mos distancohej nga ky akt.
Më poshtë intervista e shkurtër e ish-deputetit demokrat për BW:
Zoti Babasi mund të na sqaroni si ndodhi përplasja mes përfaqësuesve të Partisë Demokraktike dhe veteranëve tek Varrezat e Dëshmorëve? A pati ndonjë të shoqëruar mes jush?
Në dijeninë time nuk ka asnjë të shoqëruar. Nuk mund të flas për një përleshje, por për një reagim të dhunshëm nga ana e komunistëve që vinin të provokonin me foton e “qoftëlargëtit”.
Ne shkuam në orarin e caktuar për të bërë nderimet përkatëse dhe aty u ndeshëm me këtë grup. Ju thamë të hiqnin parullat dhe fotot sepse s’mund të vazhdohet me imazhin e “qoftëlargut” edhe pas 25 vitesh.
Ata reaguan keq, kishin edhe shkopinj me vete. Por në të gjithë këtë histori, faji është i policisë. Ishte policia ajo që nuk diti të ndajë detyrat e veta. Kur ka aktivitet PS-ja, lejohen mbështetësit e PS, kështu ndodh me PD dhe me këta “qoftëlargëtit”, që duhet t’i kishin lënë në një tjetër orar.
Ju personalisht ishit mes atyre që u përfshinë në sherr?
Isha mes atyre që debatuan dhe po them që u bë shumë mirë që ndodhi ashtu. Le ta marrë vesh gjithë Shqipëria dhe Bota që PD është e fortë dhe mban qëndrimin e saj ndaj parullave të komunizmit. Ta marrin vesh edhe ata që i sollën aty
Kush mendoni t’i ketë sjellë aty?
Po ata nuk erdhën nga mendja e tre, janë të nxitur politikisht për të reaguar ashtu. Erdhën me qëllimin për të na provokuar, ishin provokatorë.
Pse i quani provokatorë?
Nuk i quaj, jam i bindur që ishin provokatorë, madje të organizuar mirë kësaj here. Por faji është i Edi Ramës, mbi të bien të gjitha përgjegjësitë
Keni një mesazh për kryeministrin?
Mesazhi i vetëm që kam për të është të rrijë larg nga këto akte provokatore. Të mos i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve.


