Është mbledhur paraditën e sotme komisioni për Integrimin Evropian.
PD dhe LSI kanë thyer bojkotin e Kuvendit, të paktën vetëm për ditën e sotme.
Deputetët e opozitës kanë marrë pjesë në prezantimin e progres-raportit të KE në komisionin parlamentar të Integrimit nga ambasadorja Romana Vlahutin, ku vlen të theksohet rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë.
Nga deputetët e PD bie në sy kryetari i komisionit parlamentar të Integrimit, Genc Pollo. Deputetët e tjerë të PD që kanë thyer bojkotin janë Jorida Tabaku, Enkelejd Alibeaj dhe Grida Duma.
Ndërsa nga LSI marrin pjesë ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha si dhe deputetët Petrit Vasili e Edmond Panariti.
Pollo: Shpresoj që Rama të ketë sukses në Gjermani
Kreu i komisionit parlamentar të Integrimit, Genc Pollo tha se opozita po lobon për të bindur vendet skeptike për çeljen e negociatave në qershor. Duke i uruar suksese Ramës sot në Gjermani, Pollo kërkoi të ndalojnë sulmet ndaj deputetëve europianë.
Opozita po bën përpjekje për të bindur vendet skeptike. Shpresoj që Rama të ketë sukses sot në Gjermani. Të shmangen sulmet ndaj deputetëve evropianë. Jo sulme për merita e fajtorë”.
Vlahutin: Të presim qershorin ç’do mendojë BE
Nga ana e saj, ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin theksoi rëndësinë e reformave të cilat sipas saj do luajnë rol në bindjen e vendeve të BE për çeljen e negociatave në muajin qershor.
Duke u ndalur tek reforma në drejtësi dhe vettingu, ambasadorja Vlahutin tha se duhet arritur progres serioz sa i takon dënimit të zyrtarëve të korruptuar.
“Shqipëria ka shënuar progres sa i takon luftës së trafikut të drogës. Ndërsa lufta kundër krimit mbetet sfidë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i takon dënimit të zyrtarëve duhet progres serioz. Komisioni Europian vëren padrejtësi ndaj njerëzve sa i takon çështjeve ë pronës. Kjo çështje duhet të ketë një zgjidhje tërësore. Raporti i KE ndalet tek 5 pikat kryesore, por duhet vullnet politik për të ecur përpara në përmbushjen e tyre”, u shpreh ambasadorja Vlahutin.
“Reformat të ruhen e të thellohen. Të shohim çdo të mendojnë shtetet anëtare në qershor për negociatat. Duhet konsensus konkret në veprime dhe jo vetëm në retorikë. Vullneti politik është thelbësor”.



