Shqipëria ka hedhur hapin historik për të hyrë në sallën e madhe, e për të zënë pas kësaj brenda 5-7 viteve të ardhëshme, vendin që i takon si e barabartë mes të barabartëve, në tryezën e rrumbullakët të shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Ajo që pritej prej shumë vitesh, më në fund edhe ndodhi: Komisioni Europian rekomandoi zyrtarisht e në mënyrë të pakushtëzuar, hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Nëse do të duhej që të bëhej një perifrazim, më shkonte mendja tek ai i Neil Armstrongut në 16 korrikun e 1969, kur pasi hodhi hapin e parë mbi Hënë tha shprehjen lapidare: “Një hap i vogël i imi, por një hap i madh për njerëzimin”. E në këtë rast, ky hap i vogël i Komisionit Europian për zgjerimin, shënoi një hap gjigand për shqiptarët, për tu bërë pjesë natyrale e qytetërimit perendimor të cilit i përkasim.
Duket sikur po jetojmë versionin modern të “irkthimit të djalit plangprishës”, pas 600 vjetësh të hallakatjeve tona nëpër histori mes luftrash, ndarjesh, copëzimesh, pushtimesh, konvertimesh fetare, ndalimesh e rilejimesh të besimeve. E deri tek ndryshimet e regjimeve, sistemeve shoqërore, ideologjive, liderëve, aleatëve, aleancave dhe orientimeve herë nga Azia, herë nga Lindja, herë nga ajo e largët apo e afërt, e herë nga fqinjët tokësorë apo përtej detar.
Me rënien e Murit të Berlinit, Muri i Komunizmit Shqiptar nisi të bjerë nën thirrjet: E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Më shumë se një parrullë, dukej si një thierrje e re gjaku, prej të parëve. Ndaj, kur sekretari Amerikan i Shtetit James Baker, u bë zyrtari më i lartë perendimor që vizitoi Tiranën më 1991, thënia e tij e thjeshtë por lapidare: “We are with you, you are with us”, e ndezi sheshin Skënderbej si asnjëherë më parë në historinë tonë. Sepse shqiptarët e kuptuan se thirrja e tyre kishte mbërritur në destinacion, duke dëgjuar që ti rikthehej prej andej, jehona e shpresës së saj.
E në gjithë këto vite, kryefjala e të gjithë liderëve tanë politikë, e të gjithë udheheqësve, politikanëve dhe pushtetarëve tanë, ka qenë: Integrimi. Europa. Bashkimi Europian. Anëtarësimi.
E kur sot jemi më në fund, vetëm një hap larg ëndrrës sonë, fatkeqësisht jo e gjithë klasa jonë politike dhe elita e Tiranës, e ka përshëndetur atë me ngazëllim. Me gëzim. Me emocionin që e meritonte një ditë si kjo. Ka prej tyre, që ndoshta kurrë nuk do ua nxë goja urimin për zyrtarizimin e destinit final të shqiptarëve. Por, ne sot më shumë se kurrë, duhet ti mirëkuptojmë pa patur as më të voglën mundësi, që ti ngushëllojmë. Sepse;
Nuk është se ata nuk e duan Shqipërinë.
Nuk është se ata nuk e duan integrimin.
Nuk është se ata nuk e duan orientimin tonë perëndimor.
Nuk është se ata nuk e duan ta shohin Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota në familjen e madhe europiane.
Jo.
Të jeni të sigurtë se e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian, po aq sa ne. Por me një ndryshim të madh. Me një ndryshim thelbësor. Me një ndryshim substancial. Me një ndryshim cilësor.
Nuk është puna vetëm thjeshtë se do të donin të ishin ata në pushtet kur kjo të ndodhte.
Jo.
Çështja nuk është vetëm aty.
Ata e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian, duke e drejtuar si deri më sot, përgjatë këtyre 27 viteve me radhë.
Ata e duan Shqipërinë alla frënga, por duke e qeverisur alla turka.
Ata e duan Shqipërinë oksidentale, duke e qeverisur në mënyrë orientale.
Ata e duan Shqipërinë që të shikojë nga perëndimi, por duke qëndruar me trup në lindje.
Ata e duan Shqipërinë që të vishet e të jetojë europiançe, por të mendojë dhe punojë anadollakshe.
Ata e duan Shqipërinë si të gjithë ne të tjerët. Por jo për ne. Ata e duan Shqipërinët të gjithën veç për vete.
Ndryshimi i vetëm mes nesh e atyre është se ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa.
Ndërsa ata e duan gjithë Europën, si Shqipëria. Jo si Shqipëria e sotme. Por si Shqipëria e tyre e 27 viteve të shkuara.


