Një gjyqtar federal i SHBA-ve ka vendosur të hënën se Facebook duhet të përballet me një padi në të cilën pretendohet se rrjeti social në mënyrë të paligjshme ka përdorur një opsion nëpërmjet, të cilit realizohet njohja e fytyrës në foto, pa lejen e përdoruesit.
Vendimi vjen pas problemeve të tjera të Facebook në lidhje me privatësinë, pasi u zbulua se të dhënat personale të mijërave përdoruesve ishin mbledhur nga konsulenca politike Cambridge Analytica.
Gjykatësi amerikan James Donato vendosi në gjykatën federale të San Franciskos se ngritja e një padie nga përdoruesit ishte mënyra më efikase për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi njohjen e fytyrës.
Facebook tha se ishte duke shqyrtuar vendimin. “Ne do të vazhdojmë të besojmë se kjo çështje gjyqësore nuk ka vlerë dhe do ta mbrojmë veten fuqishëm”, tha kompania në një deklaratë.
Sipas Reuters, nuk u bë e mundur që avokatët e paditësve të kontaktoheshin menjëherë për të marrë komente prej tyre.
Përdoruesit e Facebook kanë ngritur një padi në vitin 2015, duke pretenduar se ka pasur shkelje të ligjeve të shtetit Ilinois, në lidhje me privatësinë e informacionit biometrik.
Padia do të ngrihet nga përdoruesit e Facebook në Ilinois, për të cilët Facebook ka krijuar opsionin e njohjes së fytyrës që pas Qershorit të vitit 2011. Kjo është dita kur Facebook prezantoi “Sugjerimet për etiketime”, një opsion që sugjeron etiketimet e përdoruesve pasi ngarkohet një foto.
Në sistemin e drejtësisë së SHBA-ve, ngritja e një padie ku përfshihen shumë paditës, është një pengesë që ata duhet të kapërcejnë para se të arrihet një zgjidhje apo gjykim i mundshëm.


