Detaje nga sherri në lokalin e fshatit qe përfundoi me plagosjen me thikë të tre banorëve, të afërm me njëri-tjetrin.
Ata kanë qenë duke pirë kafe me njëri-tjetrin, kur një bashkëfshatar, autor i kësaj ngjarjeje, pasi ka nisur t’i vërë në lojë me fjalë, më pas është ngritur duke i qëlluar njëri pas tjetrit me armën e ftohtë.
Ngjarja ndodhi në një kohë të shpejtë, duke mos iu dhënë mundësinë as të mbrohen dhe as klientëve të tjerë të ndërhyjnë. Sipas burimeve të Policisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:30, në një lokal në fshatin Shën e Premte në Divjakë.
Kujtim Imeri, 40 vjeç, është konfliktuar me shtetasit B.G. 67 vjeç, A.G. 21 vjeç dhe D.G. 26 vjeç, banues në fshatin Shën e Premte, ku gjatë konfliktit i ka qëlluar me thikë. Tre të plagosurit u dërguan në Spitalin e Lushnjës, ku pas ndihmës së marrë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq, pas plagosjes, Imeri u largua nga vendngjarja, por si rezultat i reagimit të shpejtë të Policisë, ai u kap dhe u arrestua pak më vonë nga Policia e Divjakës. Mësohet se autori Kujtim Imeri është person me precedentë penalë në fushën e krimeve kundër personit dhe ka qenë i dënuar më parë për plagosje me thikë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika, me të cilën autori goditi tre bashkëfshatarët e tij. Në ngarkim të tij, materialet iu referuan Prokurorisë së Lushnjës për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Tre të plagosurit, të afërm me njëri- tjetrin, kanë treguar për Policinë se kanë qenë ulur në një tavolinë dhe autori u hidhte fjalë duke i vënë në lojë. Edhe pse ata e kanë toleruar duke mos i kthyer fjalë, ai u ka shkuar pranë dhe ka nisur t’i qëllojë me thikë. Pasi kanë marrë plagë në trup, kanë ndërhyrë të tjerë klientë të lokalit, duke iu shpëtuar kështu edhe jetën të plagosurve.
Mësohet se autori u kap në dalje të fshatit në tentativë për t’u ikur uniformave blu. Fakti se ai është përsëritës në këtë vepër penale, e rëndon akoma dhe më shumë pozitën e tij para organeve të drejtësisë. Dyshohet se ai ka qenë në gjendje të dehur kur ka nisur të konfliktohet me fjalë me bashkëfshatarët që ndodhen në të njëjtin lokal në fshatin e tyre.
PANORAMA


