I vendosur në një luginë piktoreske në Alpet italiane, fshati Gardone Val Trompia është vendi ku kanë lindur shumica e armëve të vogla të zjarrit që gjenden në Europë. Madje, edhe revolveri i përdorur nga Al Pacino në “Njeriu me shenjë”, është prodhuar atje.
I rrethuar me gjelbërim dhe – një faktor kyç për industrinë kryesore të fshatit – miniera hekuri, Gardone Val Trompia, me rreth 10 mijë banorë, është kryeqyteti europian i armëve të zjarrit. Aty prodhohen 70% e armëve të vogla (që përdoren në sport dhe për gjueti) të Europës dhe 40% të sasisë që përdoret në mbarë botën.
Në vitin 2016, prodhuesit e armëve në këtë luginë u shitën SHBA-ve 390 000 armë zjarri.
Në qendër të kësaj lugine është fabrika e “Beretta”-s. Kompania u themelua në Gardone Val Trompia në vitin 1526 dhe vijon edhe sot t’i ketë zyrat aty. Por në të gjithë luginën janë 139 prodhues të tjerë armësh, eksportet e të cilëve gjenerojnë 7 miliardë euro në vit. Rreth 90% e armëve që prodhohen aty janë të destinuara për eksport: 45% shkojnë në SHBA dhe 35% shpërndahen në Europë.
Furnizimi i qëndrueshëm me ujë nga lumi Mella, i kombinuar me lehtësinë e sigurimit të hekurit, ka vendosur në “Luginën e Armëve” jo vetëm fabrikën e prodhimit masiv të “Beretta”-s, por edhe zejtarë të thjeshtë që imitojnë armët e vjetra.
Në Lojërat Olimpike të Rios de Janeiro-s në vitin 2016, në rreth 90% rasteve të nisjes së garave në disiplina të ndryshme u përdorën armë të prodhuara në Val Trompia.
Fotot e mëposhtme janë realizuar nga Simone Tramonte.
Përgatiti: Gazmira Sokoli









