-Revista amerikane “The New Yorker” në numrin e saj të muajit Prill, vuri në dukje se ardhja e Muhammed bin Selman (ose MBS) në postin e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, ngriti shqetësime të mëdha tek amerikanët, pasi ky proces u shoqërua paralelisht me ngjarje të përgjakshme.
Në një artikull të gjatë, të publikuar të mërkurën, autori Dexter Filkins analizoi ngjitjen e bin Salman në majat e Mbretërisë deri në kapjen e pushtetit, si dhe mënyrën se si princi saudit përdori forcën për të siguruar postin e princit të kurorës.
Autori citoi një ish-zyrtar amerikan të thotë se gjatë verës së vitit 2015, brenda administratës së ish-presidentit amerikan Barak Obama u shtua frika se lufta për pushtet në Arabinë Saudite mund të kthehet në dhunë. Ai theksoi se Muhammed bin Selmani si ministër i mbrojtjes kontrollonte ushtrinë, ndërkohë që Princi (i kurorës në atë kohë) Muhammed bin Nayef kontrollonte forcat e sigurisë së vendit në cilësinë e ministrit të brendshëm. Sipas revistës, ish-zyrtari tha se “në atë kohë ishte e mundshme që në luftën e princave kundër njëri-tjetrit, të përdoreshin edhe tanket në rrugë”.
Ben Rhodes zv. Këshilltari i Obamës për sigurinë kombëtare, zbuloi se Princi i Kurorës së Abu Dhabit Mohammed bin Zayed, bëri një fushatë promovimi për Muhammed bin Selman në Uashington si mbreti i ardhshëm saudit, duke vënë në dukje se “sauditët dhe emiratasit kanë lobingjet më efektive në Uashington”.
Filkins theksoi se bin Nayef (deri atëherë princ kurore), i konsideroi veprimet e Mohammed bin Zayed (ose MBZ) si ndërhyrje të huaj, dhe i shqetësuar i shkroi një mesazh mbretit Salman për ta paralajmëruar atë.
“Jemi duke u përballur me një komplot të rrezikshëm”, shkruante Bin Nayef në mesazhin e tij, duke shtuar se “është zbuluar një komplot emiratas për të ndezur dallimet brenda oborrit mbretëror (saudit)”, dhe paralajmëroi se “bin Zayed planifikon të përdorë marrëdhëniet e tij të forta me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, për të arritur qëllimet e tij”.
Autori përmendi se Mohammed bin Zayed (MBZ), udhëtoi më 1 dhjetor 2016 në Nju Jork për t’u takuar me Presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe këshilltarët e tij Jared Kushner, Steve Bannon, dhe Michael Flynn, i cili u emërua si këshilltar për sigurinë kombëtare.
Ndërkohë që tradita e do që kur udhëheqësit e huaj vizitojnë SHBA, duhet të lajmërojnë paraprakisht qeverinë amerikane, Mohammed bin Zayed nuk e bëri këtë gjë.
Ky takim tërhoqi vëmendjen e Robert Muller, Prokurori i Posaçëm në rastin e ndërhyrjes së mundshme ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, i cili po heton lëvrimin e milionave dollarë nga lobistët emiratas për donatorët e fushatës së Trump, në mënyrë që të ndikonin më pas në politikën e tij të jashtme.
Disa javë më vonë, menjëherë pas inaugurimit të Trump si president në Janar 2017, Kushner filloi të promovojë komunikimin me Arabinë Saudite, dhe vuri një plan që përfshinte vizitën e Trump në Riad për të marrë pjesë në një samit të 55 shteteve me shumicë myslimane.
Një ish-zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes, i tha revistës se “Jared (Kushner) ishte motori për të gjithë këtë. Në një takim të vetëm, Trumpi mund të ekspozonte veten në mbarë botën myslimane, të rivizatonte marrëdhëniet e Amerikës me Arabinë Saudite, të vinte Iranin nën vëzhgim, dhe ti komunikonte të gjithë të pranishmëve pikëpamjen e administratës së re (amerikane) rreth Muhammed bin Selmanit”.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, ish-zyrtari amerikan vuri në dukje se institucionet amerikane ishin kundër nxitimit të Trump rreth bin Selmanit dhe prishjes së marrëdhënieve të mira me bin Nayefin.
Në këtë kuadër, ai tha se “e gjithë administrata e kundërshtoi atë, përfshirë Departamentin e Shtetit, Departamentin e Mbrojtjes, Departamentin e Thesarit, të gjithë. Ishte frika se nuk mund të angazhohesh me bin Selmanin. Nuk mund ta bëni këtë, sepse kjo do të ngatërronte gjërat. Favoritizmi mund të dukej. Ne kemi një partner … Le ti qëndrojmë këtij stabiliteti”.
Pushtimi i Katarit
Revista vuri në dukje “një seri ngjarjesh dramatike” që gjatë muajve në vijim pasuan samitin e Riadit, të cilat treguan se të pranishmit në atë samit kishin marrë në heshtje një sërë vendimesh të rëndësishme.
Pas samitit, Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të transferojnë ambasadën në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem, gjë që asnjë president amerikan nuk guxoi ta bëjë që prej aneksimit izraelit të Bregut Perëndimor më 1967.
Revista theksoi se Muhammed bin Selman “kërceu” mbi bin Nayef që të bëhet Princ i kurorës, ndërkohë që mbretëritë e Gjirit të udhëhequra nga Arabia Saudite njoftuan një konfrontim të hapur me Katarin.
Kriza Gjirit nisi pasi Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti vendosën të ndërpresin lidhjet me Katarin më 5 qershor, dhe imponuan një bllokadë totale ndaj Dohas nga toka, ajri dhe deti, bazuar në një fushatë të gjerë denigruese, para se Kuvajti të ofronte ndërmjetësimin e tij për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Revista citoi një ish-diplomat amerikan të thotë se entuziazmi i Trump-it u nxit pjesërisht nga injoranca, duke nënvizuar: “Jam i bindur se Trump nuk e dinte që ne kemi një bazë ushtarake në Katar. Ai s’kishte asnjë ide!”.
Zyrtarët amerikanë arritën në përfundimin se MBS (Muhammed bin Salman) dhe MBZ (Mohammed bin Zayed) po kërkonin të përmbysnin pushtetin në Katar.
Ish-diplomati amerikan i tha revistës: “Ata (Bin Selman dhe Bin Zayed) e bënë të qartë mirë dhe publikisht, se i gjithë qëllimi ishte zëvendësimi i udhëheqjes (në Katar)”. Ai shtoi: “Mendoj se ata donin ta pushtonin (Katarin)”.