Teksa deputetët e opozitës ndodhen në Gjykatën e Tiranës, duke ndjekur seancën maratonë për 23 protestuesit e arrestuar në Rrugën e Kombit, mazhoranca ka vendosur të mbledhë Komisionin hetimor për çështjen e ish-ministrit Tahiri.
Ky komision është thirrur nga opozita dhe drejtohet nga Edi Paloka, i cili sot nuk është i pranishëm, së bashku me deputetët e tjerë. Komisioni i sotëm është thirrur nga mazhoranca, vetëm pak minuta para se të niste, ndërsa të pranishëm janë vetëm deputetët e majtë.
Deputetja Ermonela Felaj ka përmendur disa nga çështjet më të bujshme në vend, për të cilat PS do t’i drejtohet Shërbimit Informativ Shtetëror për të kërkuar informacion lidhur me trafikun e drogës.
Felaj tha se do të kërkohet informacion nga SHISH për ish-kryeministrin Sali Berisha, Klement Balilin, Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë që solli 613 kg kokainë nga Kolumbia.
“Do mbledhim të dhëna që lidhen me gjenden e funksionimit të radarëve më 2013. Do verifikohet gjitha puna e Prokurorisë, pasi Kuvendi i vuri në dispozicion raportin. Do sqarojmë rrethanat si është arrestuar Dritan Zagani, në cilën fazë është procedimi në ngarkim të tij.
Arbër Çekaj, do kërkojmë informacion për veprimtarinë e tij. Rasti Balili, kush janë pronat e zotëruara prej tij, kontratat e qerasë, koncensionare, sa grante janë të fituara nga Balilajt nga ministria e Bujqësisë.
Do ndjekim dhe rastin e ish-ministrit Tahiri, cilat kanë qenë qëndrimet e Prokurorisë, si i ka ndjekur këto dy raste. Do kërkojmë nga SHISH për trafikun e drogës, informacionet që i janë referuar në rrugë të ndryshme Presidentit, ministrave dhe si është konkluduar me këto informacione.
Do kërkojmë të dhëna për rastet e Lazaratit dhe Dukagjinit, nëse janë identifikuar autorët që kanë qëlluar ndaj policisë. Kërkesat për ekstradim të shtetasve shqiptarë nga 2005-2018, urdhër-arreste nga Interpol për shqiptarët e përfshirë në aktivitet kriminal dhe sa janë ekzekutuar këto urdhra.
Një e dhënë tjetër e rëndësishme është ajo që lidhet me deklaratën e Berishës për Lazaratin, si dhe dëshmia e Izet Haxhisë për djalin e Berishës. Trafikimi i heroinës dhe kokainës, sasia që është kapur dhe grupet që janë goditur. Do të na duhet dhe një dëshmi nga ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha”
Ermonela Felaj, anëtare e PS në komisionin ‘Tahiri’


