Shqetësimi më i madh në një demokraci normale, nuk është institucioni i protestës qytetare, por mungesa e tij. Që do të thotë, se ne do duhet të ishim sot të shqetësuar nëse qytetarët nuk do të protestonin asnjëherë për asgjë. Ndaj edhe në lidhje me atë që ndodhi në Rrugën e Kombit, për çështjen e tarifës së pagesës për automjetet, problem nuk është se qytetarët protestuan. Por se me protestën u abuzua, duke u tejkaluar e drejta e secilit për të dalë në shesh, e për ta ngritur zërin kundër qeverisë.
Tejkalimi i kësaj të drejte, erdhi në momentin që u përdor dhuna nga një pjesë e protestuesve, e cila më pas u përshkallëzua deri në djegie e shkatërrime të pikës së pagëses së taksës për rrugën që lidh Shqipërinë me Kosovën. Tejkalimi i së drejtës për protestë paqësore, duke e çuar atë në ekstremin tjetër, bën që e drejta në këtë moment, nga ana e qytetarëve që mendojnë se pagesa është më e lartë sesa duhet, të kalojë në anën tjetër. Në anën e shtetit, qeverisë, policisë, koncensionarit dhe gjithë atyre që nuk janë dakord me këtë mënyrë të protestuari.
Ky shpjegim është i lashtë sa vetë bota dhe njihet si e drejta eskiliane. Sipas shkrimtarit të lashtë grek, tejkalimi, abuzimi, keqpërdorimi i së drejtës nga njëra palë, bën që ajo të kalojë në anën tjetër. Në këtë mënyrë, edhe ata qytetarë që ishin në protestë dhe nuk kishin asnjë lidhje me dimensionin e dhunshëm të saj, e shohin veten në anën e gabuar. Jo në anën që do të duhej të ishin, kur u nisën fillimisht që të ngrenë zërin kundër qeverisë, për një të drejtë që e besojnë realisht se u takon.
Dhuna e çfarëdollojshme është diçka e dënueshme, nga kushdo që përdoret, ngado që ajo e mer shtysën, nga kushdo që nxitet e frymëzohet për arritjen e qëllimeve krejt të tjera. Historia jonë e postkomunizmit, përveç të tjerash mund të konsiderohet edhe si një histori dhune ku politika, individë me pushtet pa llogaritur aktorë e faktorë të tjerë diskretë, kanë kërkuar që të ngrohin duart me zjarrin që i është vënë here pas here në emër të së drejtës për të protestuar, pronës publike apo private, institucioneve e deri pasurive të paçmuara të ekonomisë sonë kombëtare.
Kjo histori është përsëritur në mënyrë ciklike, ku më pak e ku më shumë, edhe në 1991 edhe më 1992, edhe më 1997 edhe më 1998, e për të ardhur duke u rralluar, e duke u bërë gjithnjë e më e kalkuluar. Duke mbetur gjithësesi, po njëlloj e dëshme nga çdo pikëpamje; destabilizuese, me efekte afatgjata në imazhin negativ të vendit, në parametrat e sigurisë publike, në cënimin e shenjtërisë së pronës, në vurnerabilitetin e investimeve dhe në frikësimin e investitorëve vendas e të huaj.
Duke sjellë në këtë mënyrë një dëm të paimagjinueshëm, me të cilin mund të shpjegohet një pjesë jo pak e rëndësishme e vonesave tona fatale në proceset e integrimit, rritjes ekonomike dhe standarteve të mirëqenies, në përsosjen e sistemit dhe balancës së pushteteve, e deri tek impakti në pesimizmin e tregjeve dhe të qytetarëve.
Ndaj dhuna është gjithmonë e dëmshme, e dënueshme, e padëshirueshme dhe mbi të gjitha i vetmi mjet që të paktën në Shqipëri, nuk ka qenë asnjëherë efiçent për të zgjidhur një problem sado i rëndësishëm apo normal që ka qenë ai. Përtej kësaj, kjo nuk do të thotë se dhuna duhet të eklipsojë e aq më pak të zerojë, zërat e qytetarëve në përgjithësi dhe të atyre që janë realisht të shqetësuar për çmimin e taksës së udhëtimit nëpër rrugën e Kombit, në këtë rast. Përkundrazi.
Kjo protestë, duhet të shërbejë si një moment për ta bërë qeverinë dhe institucionet e linjës, bashkë me koncensionarin privat që do ta menaxhojë këtë proces, të reflektojnë për të dialoguar me banorët e zonës dhe me të gjithë ata që mendojnë se tarifat janë të larta. Të sqarohen dhe të reflektojnë pas komunikimeve shteruese me drejtuesit e automjeteve, me biznesin vendas, me pushtetin lokal të zonës nga kalon rruga me pagesë. E deri tek dialogu me pushtetin qëndror e lokal dhe binzesin e Kosovës, që e kanë jetike tashmë udhëtimin nëpër këtë arterie shumë të rëndësishme të komunikimit mes dy shteteve shqiptare në Ballkan.
Nga komunikimi, nga sqarimi, nga dialogu, nga dëgjimi i njëri- tjetrit dhe i zërave racionalë përballë, përtej çdo përdorimi të këtij momenti nga opozita apo kushdo tjetër për përfitime momentale, asnjëherë askujt nuk i ka ardhur asgjë e keqe.
Pas kësaj, qeveria duhet të reflektojë edhe mbi mënyrën sesi e ka menaxhuar deri tani, raportin me gjithë problematikën e historisë së kësaj rruge, që nga momenti i ndërtimit e deri më sot. Për të referuar në organet e drejtësisë ato çështje që kanë mbetur pezull apo janë mbyllur në mënyrë korruptive dhe antiligjore. Në mënyrë që të pengohet çdo tentativë manipulative, që tenton të mbulojë zullumet e vjetra, duke shpikur të reja. Sa më shumë mazhorancat kalojnë vite në qeverisje, aq më shumë konsumojnë rrezikun për ti harruar premtimet dhe angazhimet e kohës kur kanë qenë në opozitë.
Kjo protestë ka përkuar edhe me momentin e nisjes së implementimit të reformës në drejtësi. Për të qenë sa më racionalë në zgjidhjet e problemeve të mëdha të kësaj rruge, ndoshta është koha më e përshtatshme për të hetuar me transparencë e profesionalizëm, tenderat dhe mbi 1.3 miliardë eurot e shpenzuara për 65 kilometrat e kësaj rruge ende të papërfunduar. Për të nxjerrë me paanshmëri të gjitha përgjegjësitë ekonomike dhe ligjore të gjithkujt.
Vetëm kështu mund ta shndërrojmë këtë histori me dhunë, në një mësim të madh demokracie, për zbatimin e rregullave të shtetit ligjor, transparencës dhe drejtësisë që po kërkojnë edhe qytetarët të cilët u nisën të protestonin paqësisht, por u keqpërdorën për qëllime që skanë asnjë lidhje, me thelbin e shqetësimit të tyre real.


