Në lidhje me debatin e zhvilluar ditët e fundit për edukimin e të drejtave të komunitetit LGBT në shkolla reagoi edhe delegacioni i BE-së në Tiranë.
Përmes një deklaratë për shtyp thuhet se delegacioni i Bashkimit Evropian ka ndjekur nga afër debatin e kohëve të fundit mbi edukimin për të drejtat e njeriut dhe bulizmin në shkolla, duke përfshirë edhe gjuhën e urrejtjes kundër komunitetit LGBTI.
“Bashkimi Evropian bazohet në vlerat e tolerancës, mosdiskriminimit dhe respektit për të drejtat universale të çdo individi, pa marrë parasysh ngjyrën, fenë, pikëpamjet politike, origjinën etnike, aftësinë e kufizuar, moshën apo orientimin e tij seksual.
Ne besojmë fuqimisht në këto parime, i promovojmë dhe mbështesim ato në mbarë botën. Ne gjithashtu dënojmë me fjalët më të forta të mundshme diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes, në të gjitha format ose manifestimet e tyre.
Institucionet e pavarura për të drejtat e njeriut duhet të jenë të parët për të mbrojtur ata që janë subjekt i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit. Heshtja dhe indiferenca janë po aq të papranueshme sa dhe vetë sulmet e dhunshme”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në Tiranë.


