Shqiptarët përveç të tjerave, kanë një lloj afeksioni stinor për tema, fenomene apo emra të përveçëm të cilat na përfshijnë si pa kuptuar brenda një vorbulle të stërmadhe në formën e një debate kombëtar apo dalldisje kolektive, duke marë si pa kuptuar, edhe trajtën e një “mode” për tu ndjekur më pas nga të gjithë.
Në vitet ’90 filloi një si gjyq kolektiv për të shkuarën nga shoqëria, jo vetëm për regjimin dhe ideologjinë, por edhe një “luftë” brezash brenda përbrenda familjeve tona. Më pas erdhi debati i madh i komunizmit dhe antikomunzmit, i kriptokomunizmit dhe komunistëve antikomunistë. Për të vijuar me debatet për “atvrasjen” si akt kolektiv shoqëror në raport liderët politikë dhe historinë, pas trazirave të ’97. E më tej akoma, debati i madhe Kadare- Qose për identitetin kombëtar. Për të vijuar me dabatin për një komb shqiptar, apo edhe një tjetër kosovar. Për oligrakinë e re në raport me të vjetrën, e kështu me radhë.
Prej disa kohësh, si pa kuptuar kemi hyrë në “epokën” e një debate të ri, për një temë të re, që u ngjiz bashkë me një reformë të re, atë në drejtësi. Bëhet fjalë për vettingun, si një proces verifikimi në lidhje me pastërtinë e figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve fillimisht brenda sistemit të drejtësisë. Një proces i cili synon që të kalojë në filtra, gjithë aktivitetin çerek shekullor të atyre që kërkojnë të jenë pjesë edhe e sistemit të ri. Skanimi “tri dimensional” presupozon verifikimin mikroskopik të gjithë aktivitetit profesional të tyre ndër vite; raportit të tyre pasuror me fiskun dhe legjitimitetin; dhe pastërtisë së figurës në raport me të kaluarën e errët komuniste apo antishtetin e sotëm.
Shpjegimin etimologjik të fjalës “vetting” e kanë lidhur me përdorimin e tij fillimisht në garat e… kuajve. Sipas të cilit, asnjë kalë nuk mund të futet në garë, pa u kontrolluar nga një veteriner, për gjendjen shëndetësore dhe rezistencën… Me kalimin e kohës, nga shkurtimi i fjalës “veteriner” lindi folja “vet” dhe pastaj fjala “vetting” që nënkupton; “të kontrollosh një kafshë”… Më pas “aleatët e mëdhenj strategjik” që kujdeseshin për vendet që kaluan nga prapambetja në “demokraci”, e përdorën “vetting”-un edhe për “njerëzit”… Si një proces verfikimi të cilit duhej ti nënshtroheshin nëpunësit publikë, për të nxjerrë jashtë sistemit ata pa integritet e të paaftët.
Të zhgënjyer për gjithë këto vite në demokraci, shqiptarët vetëm tani po shohin me sytë e tyre, sesi drejtuesit dhe anëtarët e institucioneve më të rëndësishme të pushetit të drejtësisë, po dalin jashtë sistemit për shkak të vettingut, duke u detyruar ose të japin dorëheqjen, ose të mbesin në klasë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ose të dërgohen në Prokurori për ndejkje penale. Pas disa largimeve “vullnetare” dhe pas nisjes zyrtare të hetimeve për dy ish anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe ish Kryeprokurorin e Republikës, tani u kuptua se “vetting”, deri dje i pakuptueshëm edhe si fjalë, paskërkësh qenë ilaçi që na ka munguar për gjithë këto vite.
Ndaj përveçse në pushtetin gjyqësor, pra në gjithë sistemin e drejtësisë dhe piramidën e Prokurorisë, vettingu po kërkohet që të shtrihet kudo nëpër institucionet e tjera, mundësisht në çdo qelizë e hallkë të shtetit dhe pushtetit. Si një ilaç “i ri”, si një kurë e re, për ta shëruar njëherë e përgjithmonë trupin e sëmurë të Shqipërisë. Por, edhe si një mundësi, për ta shëndoshur trupin e saj, nga lëngata e gjatë që kishte sjellë mungesa e mekanizmave të sigurtë të parandalimit dhe të vetpastrimit, deri në krijimin e imunitetit për sëmundjet e tjera.
Me sa duket është kjo nevojë e brendshme, por edhe kërkesë nga “jashtë” për të plotësuar kriteret e integrimit të vendit e për tu ngjitur në standardet e kërkuara të BE, ajo që po e bën “vettingun” një proces jetik, duke ringjallur shpresat deri dej “të vdekura” të shqiptarëve, se edhe ky vend mund të bëhet një ditë.
Pas gjykatave dhe prokurorisë, procesit të vettingut do ti nënshtrohen edhe rreth 12 mijë punonjësit e Policisë së Shtetit, në të gjitha rangjet dhe hallkat. E për të vijuar ndërkohë edhe me mbi 80 mijë punonjësit e administratës qëndrore dhe administratës së pushtetit lokal më pas. Për të vijuar me botën akademike, ku pritet të verifkohen deri edhe titujt e gradat e tyre shkencore, niveli i mësimdhënies, teksteve apo veprimtarisë e krijimtarisë kërkimore- shkencore.
Moda e vettingut, si çdo modë tjetër, ka vetinë që të kërkojë të “përthithë” brenda botës së saj sa më shumë fasha shoqërore, target grupe dhe individë, në mënyrë që mundësisht të arrijë që të përqafohet nga të gjithë. Eshtë ndoshta kjo arësyeja se përse debatet rreth kësaj çështje, qofshin ato në ambjentet informale, por edhe publike janë orientuar herë pas here në kërkesën për ta shtrirë këtë proces deri edhe tek klasa politike, tek çdo i zgjedhur me vote, për të përfunduar deri tek media dhe shoqëria civile, tek aktorë e faktorët e tjerë të rëndësishëm të jetës shoqërore të vendit.
Siç edhe shihet jo vetëm për nga kapilariteti i shtrirjes, por edhe nga rezultatet e para që ka nisur të japë, nga energjitë pozitive që po çliron, Vettingu është një lloj “mode” që nuk duhet të perëndojë kurrë. Ndryshe nga të tjera që shkojnë e vijnë,- në mënyrë figurative,- moda e vettingut duhet shndërruar në një “kostum”, i cili është nga ajo lloj veshje që jo vetëm nuk i ikën moda asnjëherë, por që duhet mbajtur në garderobë nga gjithkush. Ndaj edhe vettingu duke u future në çdo qelizë, hallkë, sistem e pushtet në Shqipëri, duhet të shndërrohet në kulturë, në një mënyrë jetesë dhe funksionimi të kësaj shoqërie, që po kërkon të bëhet nga alla turka deri dje, në alla frënga nesër.


