Lëvizja Socialiste për Integrim po shkon çdo ditë e më shumë drejt tkurrjes, teksa goditja më e madhe ka ardhur nga Devolli.
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Devollit, Albert Lilo, nga radhët e LSI, dhe tre këshilltarë të kësaj force politike, kanë braktisur partinë e tyre dhe i janë bashkuar Partisë Socialiste.
Përveç kryetarit Lilo, janë larguar nga LSI edhe anëtarët e këshillit Perlat Xhaçi, Aldo Shpuza dhe Enver Manoku, raporton Report TV.
Kjo është goditja më e madhe ndaj LSI, pasi nëse deri më tani kësaj force politike i janë larguar këshilltarë, nga kjo bashki vjen dhe largimi i kryetarit të këshillit.
Kjo sjell dhe krisjen më të madhe të kësaj force politike në këshillat bashkiakë.
Albert Lilo dhe tre këshilltarët e tjerë janë bashkuar me grupin e këshilltarëve të PS, që kontrollon tashmë këshillin prej 21 këshilltarësh.
LSI-së po i largohen përditë këshilltarët nga bashkitë kryesore në vend, për të kaluar tek PS-ja.


