Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla mund të arrestohet. Ka qenë ky lajmi që ka dominuar zhvillimet e kësaj të diele në mediat shqiptare. E gjitha erdhi pasi seksioni shqip i “Deutsche Welles”, medias zyrtare te Gjermanisë, shkruan se ish-kryeprokurori mund të jetë “peshku i madh i parë i kapur”.
Ndoshta është kjo arësyeja se përse Adriatik Llalla po udhëton kaq shpesh kohët e fundit jashtë Shqipërisë, me sa duket duke parandjerë rrezikun, po kërkon të shpëtojë duke dashur të mari garanci qëndimi nga ndonjë shtet tjetër. Ka zëra se ai ka nisur që të mendojë edhe mundësinë e kërkimit të statusit të azilantit politik në Gjermani apo gjetkë.
Burime jozyrtare thonë se atij i është refuzuar kohët e fundit edhe një kërkesë e lidhur me kohëqëndrimin në Gjermani, kërkesë e cila nuk u trajtua sipas pritshmërive të tij, nga Ambasada Gjermane në Tiranë – shkruan Dita.
Gjermania është vendi ku z. Llalla udhëton shpesh për shkak të qëndrimit të familjes së tij aty. Në Gjermani ai ka në shkollë dy fëmijët e tij më të mëdhenj, Eni dhe Adi, të cilëve Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen duke i futur edhe ata në listën e zezë të SHBA, si edhe dy prindërit e tyre Adriatik dhe Ardjana Llalla.
Kjo e fundit mësohet se punon në ISKSH (Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor), dhe ndryshe nga periudha kur bashkëshorti i saj ishte Kryeprokror që kohën e punës e kalonte më së shumti në palestër, tani është e detyruar të paraqitet çdo ditë si të gjithë punonjësit e tjerë të këtij institucioni.
Lajmi për arrestimin e Adriatik Llallës nuk është bërë ende zyrtar por ka nisur të qarkullojë tashmë në rrethe të ngushta që po monitorojnë nga afër procesin e Vettingut dhe ndikimet e tij në sistemin e drejtësisë.
Ndoshta jo rastësisht është një media gjermane që thekson rastin Llalla në një analizë botuar sot mbi procesin e Vettingut në Shqipëri.
“Burime diplomatike në Tiranë, që ndjekin nga afër këtë process thanë për DW se rasti i ish-Prokurorit të Përgjithshëm është vetëm fillimi i kapjes së “peshqve të mëdhenj” që do të ndiqet se shpejti edhe nga raste të tjera” – shkruan DW dhe shton: “Hetimi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është një sinjal se për kulturën e pandëshkueshmërisë, të betonizuar në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash, po fillon procesi i ҫmontimit”.
Departamenti Amerikan i Shtetit muajin e kaluar mori vendimin që ish-kryeprokurori dhe familja e tij të futen në listën e zezë dhe të mos u lejohet hyrja në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni”.
Prokuroria ka hapur ҫështje penale për pastrim parash në përmasa të mëdha për ish- Prokurorin e Përgjithshëm.
Flitet për shit-blerje tokash, ullishtesh, në sipërfaqje të mëdha dhe pasurish të paluajtshme që ish-Prokurori i Përgjithshëm i blinte shumë lirë dhe pasi bëhej rivlerësimi i tyre, i shiste 20-30 herë më shtrenjtë. Përfliten gjithashtu transaksione financiare me persona me precedentë penalë të lidhur me krime të rënda.
Adriatik Llalla erdhi në krye të Prokurorisë në vitin 2012 dhe qëndroi deri në mbyllje të mandatit 5 vjeҫar, më 3 dhjetor 2017.


