Autorët që tentuan të vidhnin me armë banesën e Minella Muçit në orët e para të mëngjesit të 23 marsit në Fier, dyshohet se janë autorë të një sërë grabitjesh në territorin e Shqipërisë.
Xhuljan Sollaku, 20 vjeç, i cili mbeti i vdekur gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, Arben Muça, 33 vjeç, i plagosur dhe dy të arratisurit, Ardi Muça dhe kunati i tij, dyshohet se kanë kryer një numër të madh grabitjes.
Nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e tentativë për grabitjen e çiftit Minella dhe Elsa Muçi në lagjen “29 Nëntori” në Fier, mësohet se grupi i të rinjve kryente grabitje pasi më parë siguronte informacion për familje që mbanin shuma të konsiderueshme parash në banesë.
Për familjen Muçi, këta të fundit dyshohet se kanë pasur një bashkëpunëtor nga qyteti i Fierit, që i ka dhënë detaje se djali i tyre emigrant në Meksikë ka kryer kohët e fundit transfertë parash për në Shqipëri dhe se bëhej fjalë për shumë të konsiderueshme.
Nisur nga kjo, nisën plani për grabitjen e çiftit të të moshuarve. Sipas hetuesve, 33-vjeçari i plagosur me origjinë nga Puka dhe banim në Durrës, ishte organizatori që planifikonte gjithçka.
Ndërsa, viktima Xhuljan Sollaku, nga Elbasani, ishte eksperti që kryente hapjen e dyerve./PANORAMA


