Met Kanani, personi që u arrestua më 20 mars gjatë një operacioni të Policisë turke me 1.1 tonë hashash, po hetohej prej një viti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, shkruan“Panorama”.
Burimet thanë se Met Kanani po ndiqej njëkohësisht nga policitë e disa vendeve të BE-së, ashtu sikurse edhe nga Turqia, por edhe Policia shqiptare. E megjithatë, prej një viti kur ishte regjistruar procedimi penal, pas një informacioni policor, askush deri më 20 mars nuk kishte rënë në gjurmët e tij.
Oficerët e Hetimit të Narkotikëve dorëzuan dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosjen hetimore në lidhje me grupin që drejtonte Kanani. Burimet thanë se në dosje ka informacione dhe të dhëna të administruara në formën e akteve hetimore, gjithashtu edhe informacionet e shkëmbyera me Policinë turke gjatë 6 muajve të fundit.
Gjatë një viti që kanë zgjatur hetimet për grupin e “Met shqiptarit”, janë identifikuar të paktën 10 persona që kanë punuar për të, duke trafikuar sasi të ndryshme kanabisi dhe heroine.
BARONI I DROGES
Sipas Policisë turke, Met Kanani ka pjesën më të rëndësishme të rrugës ballkanike për trafikun e drogës. Ekspertët e antidrogës në Stamboll kanë të dhëna se përveç linjës së trafikut të kanabisit nga Shqipëria drejt Turqisë e më pas në vendet arabe, ai ka edhe një linjë tjetër për heroinën, të quajtur “rruga e kthimit”.
Së fundmi është zbuluar se për të trafikuar heroinën e marrë në Afganistan e Iran, që kalon më parë përmes Turqisë, tashmë po përdoren dy rrugë. E para është linja veriore,që kalon nga Deti i Zi dhe përmes rrugës ballkanike kalon në Europë. Ndërsa e dyta kalon në vijën veri-jug dhe për këtë linjë përdoret deti Egje.
Personi që aktualisht konsiderohet baron droge, “karrierën” e tij e ka nisur si tregtar llamarinash në Fier. Në emër të tij rezulton i regjistruar një biznes që ka si objekt importeksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të lëndëve të ndryshme industriale, hekuri, llamarinë dhe përpunimin e tyre. Së fundmi, ky biznes rezulton i çregjistruar në QKB.
PANORAMA



