Lidhjet e Shqipërisë me Kolumbinë e largët duket se nuk janë vetëm import-eksport bananesh. Në Shqipëri emri Kolumbi lidhet menjëherë me fjalën “kokainë”. Kjo sepse rastet sa kanë ardhur duke u shpeshtuar, mjafton të kujtojmë rastin e djeshëm të biznesmenit Luan Spahiu, e deri tek sasia rekord e kokainës, plot 613 kilogram.
Si u “kap” Luan Spahiu: Gjykata e Krimeve të Rënda ka urdhëruar dje sekuestrimin e pronave me vlerë 10 milionë euro në kryeqytet, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të paligjshme si trafiku i lëndëve narkotike, veçanërisht ai i kokainës.
Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Pronat figuronin të regjistruara në emër të Luan Spahiut 53 vjeç banues në Tiranë.
Spahiu rezulton i dënuar edhe më herët në vitin 2011 me 5 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike nga Gjykata e Frajbugut.
Për çfarë u dënua: Sipas burimeve të policisë, Spahiu është dënuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Kolumbia drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Paratë e fituara nga kjo linjë e trafikut të kokainës, Spahiu i kishte investuar në kompaninë e ndërtimit “Pinari” në Tiranë, si dhe në disa troje ndërtimi dhe sipërfaqe toke në Selitë e në rrugën “Naim Frashëri”.
Spahiu kishte ndërtuar një kompleks banimi të cilin kishte arritur ta shiste pjesërisht. Pas hetimit të Prokurorisë, Gjykata vendosi që 32 apartamente me sipërfaqe 3400 m2 të sekuestrohen.
Sekuestro u vendos edhe mbi tri njësi tregtare në të njëjtin kompleks, me sipërfaqe 230 m2. Po ashtu një vilë tri katëshe në rrugën “Hoxha Tahsim”, me sipërfaqe 340 m2, si dhe disa garazhde u sekuestruan. Gjykata vendosi të njëjtën masë për dy sipërfaqe trojesh në rrugën “Naim Frashëri” dhe në Selitë, përkatësisht 5600 metra dhe 18 mijë m2, si dhe tri automjete të shtrenjta.
Luan Spahiu, siç e shkruan edhe në profilin e tij “Facebook”, është i martuar me një kolumbiane, dhe të dy së fundmi jetojnë në Tiranë.
613 kg kokainë: “Sasia e konsiderueshme prej 613 kg kokainë, e kapur në Shqipëri i përkiste organizatës kriminale kolumbiane “Clan del Golfo”.
Kështu do të shprehej një ditë më parë Ministri kolumbian i Mbrojtjes, Luis Carlos Villegas, lidhur me sasinë rekord të kokainës të zbuluar në Portin e Durrësit.
Por ndonëse për këtë sasi të të madhe droge, pas hekurave qëndrojnë vetëm shoferi dhe menaxheri i firmës “Arbri Garden”, ajo që rikthehet edhe një herë në vëmendje, është shtrirja e mafias shqiptare dhe bashkëpunimi me një nga organizatat më famëkeqe në botë.
“Clan del Golfo” është organizata kriminale më e madhe në Kolumbi, dhe sipas autoriteteve, kjo organizatë ka 3.000 anëtarë.
Ndërkohë që nga këta, rreth 1200 anëtarë janë në nivel drejtuesish që koordinojnë kultivimin dhe trafikimin e kokainës në pjesën më të madhe të territorit kolumbian. Ndërkohë që si lider i organizatës “Clan del Golfo” është i njohur Dario Antonio Usuga.
Si “forcohet” lidhja akoma më shumë: Shteti amerikano-latin dhe shqiptarët duket se tashmë kanë krijuar një lidhje të fortë. Këtë e tregon edhe hapja e një diskoje tashmë të famshme në Santa Marta, një qytet të madh bregdetar në veri të vendit.
Ajo mban emrin “Albania Disco” dhe ka ruajtur simbolet dhe identitetin shqiptar. Në foto shihet se si stafi mban bluza që kanë të stampuara simbole shqiptare.
AlpeNews.al








