Për të mbërritur në destinacionin përfundimtar, shqiptarët që paguanin paratë tek anëtarët e 7 grupeve kriminale, ndiqnin 4 linja. Udhëtimi që niste me qëllime turistike ishte i rregullt deri në vendet e Bashkimit Europian, më pas pajiseshin me dokumente të falsifikuara për të vazhduar më tej, në Amerikë, Kanada dhe Britaninë e Madhe.
Itineraret e ndjekura prej tyre ishin: Shqipëri – Itali – Mbretëri e Bashkuar, Shqipëri – Francë -Mbretëri e Bashkuar, Shqipëri – Bullgari – Belgjikë – Republikë Domenikane – SHBA – Kanada dhe Shqipëri – Spanjë Amerikë Latine – SHBA Kanada.
Hetimi i nisur në vitin 2017 është iniciuar nga agjencitë amerikane, ndërkohë që më tej çdo veprim tjetër është gjurmuar nga prokurori i kësaj dosjeje, Eugen Beçi, si dhe nga Policia e Shtetit. Përmes falsifikimit, rrjeti i trafikantëve ndërkombëtarë që në përbërje ka shtetas shqiptarë dhe të huaj, ka trafikuar mbi një mijë shtetas.
Një pjesë e emigrantëve të paligjshëm ka dyshime se nuk kanë mbërritur në destinacionin për të cilin kanë paguar, por janë braktisur nga trafikantët në vendet e Amerikës Latine.
Hetimi ka zbuluar se trafikantët shfrytëzonin disa agjenci në Tiranë dhe Lezhë për prerjen e biletave të udhëtimit për qëllime turistike dhe më tej sapo mbërrinin në vendet e Bashkimit Europian, qytetarëve të interesuar për të emigruar në Amerikë, Kanada dhe Angli u jepeshin dokumente të tjera të falsifikuara së bashku me një biletë të re. ….


