Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në qytetin verilindor, pasi një nënë me foshnjën kanë vdekur në maternitet. Viktima është Nurie Poçi 42 vjeçe, ndërsa nga të dhënat e para nga spitali mësohet se ka ndërruar jetë së bashku me foshnjën si pasojë e hemorragjisë gjatë lindjes.
Familjarët kërkojnë zbardhjen e ngjarjes, policia ka marrë kartelën mjekësore duke nisur hetimet.Spitali ka nisur verifikimet për të mësuar zyrtarisht shkaqet e vdekjes së nënës së bashku me foshnjën.
Mamaja, së bashku me foshnjen ndodhen në morgun e spitalit të Kukësit.
Ekspertët mjeko-ligjorë të ardhur nga Tirana si dhe grupi hetimor, po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.
Burime për Report TV bënë të ditur se vdekja ka ndodhur nga hemorragjia, dhe jo nga pakujdesia mjekësore.
Pritet që së shpejti të dalë në një deklaratë për mediat edhe spitali rajonal i Kukësit.
Report TV i kishte kushtuar një kronikë në janar të vitin 2016 Nurie Poçit dhe kushteve të saj tepër të vështira të jetesë së saj, së bashku me gjashtë vajzat e vogla.
Poçi ishte shprehur se jetesa me 19 mijë lekë në muaj të cilat i përfitonte nga një pension dhe ndihma sociale ishte shumë e vështirë. Ajo thoshte se 13 mijë lekë i përdorte vetëm për të paguar qiranë e shtëpisë dhe energjinë elektrike.
Por veç mjerimit në të cilin jetonte, tani Poçi dhe vajzat e saj kanë pësuar edhe këtë dramë, ku 6 vogëlushet kanë humbur nënën së bashku me foshnjen e saj të shtatë.



