Eksperti i qarkullimit Arben Luzi thotë se shkak për aksidentin me dy të vdekur te “Mali i Robit” dyshohet të jetë shpejtësia tej normave të lejuara nga automjeti “Toyota”, thotë “Report TV”.
Ai evidentoi problematikën me infrastrukturën në këtë kryqëzim i cili sipas Luzit nuk plotëson kushtet për të qenë i tillë pasi njerëzit kalojnë mbi hekurat për të dalë në vendet e ndalimit të automjeteve të transportit interurban.
Zgjidhje sipas ekspertit të qarkullimit, do ishte ndërtimi i stacioneve për automjetet e transportit publik ku edhe do të sinjalizoheshin drejtuesit e automjeteve të cilët do ishin të detyruar të ngadalësonin shpejtësinë dhe për rrjedhojë do minimizoheshin aksidentet me pasoja të rënda si ai i mëngjesit të sotëm.
Intervista:
Z.Luzi, në një javë kemi tetë të vdekur në aksidente rrugore. Çfarë po ndodh në rrugët tona?
Janë tre aksidente të rënda. Rasti më flagrant i Velipojës ku katër anëtarë të një familje pësuan vdekje. Nga analiza e këtij aksidenti, janë përplasur dy automjeteve ballë përballë. Duke parë dëmtimet e rënda që janë në të dy mjetet, pavarësisht se ajo rrugë është interurbane dytësore, me shpejtësi deri në 80 km/h, nga pikëpamja e parë nuk jemi në këto limite, por një nga përdoruesit ka tejkaluar normën. Aty ka shumë për të diskutuar. Sërish, duke qenë një rrugë interurbane dytësore, rrugë e vjetër dhe po rikonstruktohet, kjo rrugë duhet të kishte sinjalizime që të njoftonte drejtuesit e automjeteve për të ulur shpejtësinë. Mungojnë sinjalistikat që kufizojnë shpejtësinë.
Një tjetër aksident i rëndë te “Mali i Robit” sot, ç’a mund të themi?
Duket qartë që drejtuesi i mjetit po lëvizte nga Durrësi në drejtim të Kavajës. Në degëzimin e Malit të Robit, i cili për mua nuk i ka kushtet e plota për të qenë i tillë, sepse aty dalin këmbësorët që duan të lëvizin në drejtim të Tiranës, Rrogozhinës apo diku tjetër, janë të pambrojtur, s’ka vende ndalimi për mjetet e transportit publik dhe bëjnë veprime duke kaluar karrexhatën nga njëra te tjera. Nga pamjet filmike, duket se ka elementë të tjerë që duhen diskutuar dhe një prej tyre është shpejtësia. Mund të jetë faktor, pavarësisht se më pas doli që drejtuesi i mjetit ishte pa leje drejtimi, pra me patentë të pezulluar. Shpejtësia tej normave të lejuara mund të jetë shkak për këtë aksident.
Cilat janë disa nga akset më të rrezikshme?
Të gjitha rrugët në Shqipëri kanë njollat e tyre të errëta. Këto duhet të shoqërohen me sinjalistikë të fortë rrugore, duhet të merren masa. Në rastin konkret te “Mali i Robit” ka një vendkalimi për këmbësorët, por në anën tjetër ky vendkalim nuk është i përshtatshëm, sepse kalon njërën anë ndërsa në të zbritur has shumë vështirësi fizike për të zbritur. Aty duhet të ndërtohet një stacion dhe duhet të sinjalizohet.