Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, heq përfundimisht dorë nga drejtësia.
Llalla është tërhequr nga vettingu, pra në filtrin e komisioneve të posaçme të ngritura nga reforma në drejtësi, që vënë në sitë figurën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, si atë profesionale por edhe pasurore.
Report Tv raporton se Llalla e ka dorëzuar kërkesën për tu tërhequr nga vettingu, gjatë ditës së sotme, pranë organeve të vettingut, që rrjedhimisht do të thotë se heq dorë nga të qënit pjesë e drejtësisë. Kjo, pasi pa filtrin e vettingut, asnjë prokuror apo gjyqtar nuk mund të qëndrojnë në sistemin e drejtësisë.
Tërheqja nga sistemi i drejtësisë bën që procesi i Vettingut ndaj Llallës të ndërpritet, por për këtë çështje do vendosë Këshilli i Lartë i Drejtësisë nëse Llalla do i shpëtojë apo jo Vettingut për pasurinë dhe integritetin
Pas mbarimit të mandatit 5-vjeçar në krye të prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurorit i lind e drejta për tu emëruar gjyqtar Apeli. Dhe është pikërisht kjo mundësi që Llalla e ka refuzuar duke u tërhequr nga Vettingu.
Në vend të Adriatik Llallës mazhoranca qeverisëse votoi kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku, pa votat e opozitës. Kjo e fundit kundërshtoi, pasi përfundimi i mandatit të Llallës duhej të bëhej në momentin që të ishin ngritur institucionet e reja të drejtësisë e për të zgjedhur në atë mënyrë edhe Prokurorin e ri të Përgjithshëm, po nga këto organe.


